Refugjatët, terrorizmi dhe ndikimi rus, sfida të sigurisë në Ballkan
Folësit nga Ballkani në konferencën “Germia Hill” thanë se nëse BE-ja vonohet më shumë me pranimin e Ballkanit në gjirin e vet, krijohen hapësira për ndikim të Rusisë dhe Lindjes së Mesme.
Sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballen vendet e Evropës Juglindore janë fluksi i madh i refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme, rreziku i vazhdueshçm nga ekstremizmi dhe terrorizmi dhe së fundi ndikimi i politikës ruse. Ky ishte një konstatim i folësve në konferencën ndërkombëtare “Germia Hill”, e cila kishte si temë sigurinë në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vunë theksin edhe tek, siç thanë, hezitimi i Bashkimit Evropian që ta trajtojë Kosovën po edhe vendet tjera të Ballkanit njësoj me vendet tjera që kaluan procesin e integrimit evropian.
Regjimi i vizave
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Kosova është e interesuar të jetë faktor stabiliteti në Evropë dhe rajon, duke hedhur poshtë krahasimet që i bëhen Kosovës me flukset e refugjatëve nga Lindja e Mesme. “Ne kemi punuar shumë që numri i azilkërkuesve tonë të bierë dramatikisht. Edhe krerët e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se puna jonë është bërë me përgjegjësinë më të madhe dhe është vlerësuar lart, sepse kemi arritur sukses që nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova, që kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, numri në dhjetor të vitit që shkoi të bierë në 5 persona”- , tha kryeministri Isa Mustafa. Megjithatë ai nuk la pa përmendur mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës. “Kosova është i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash.”
Ekstremizmi dhe terrorizmi
Çështja tjetër për të cilën foli kryeministri Mustafa, është ekstremizmi dhe terrorizmi. Megjithëse një numër i madh i kosovarëve kanë marrë pjesë apo po marrin pjesë në luftërat në lindje të mesme, Kosova sipas kryeministrit është një vend lider në rajon për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosova tashmë ka identifikuar të gjithë ata që ishin pjesë e luftërave në lindje të mesme. “Sipas shërbimeve tona, numri i kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300, sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 veta, që mund të gjenden tani atje. Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë OJQ që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikalë dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete”, tha kryeministri Mustafa.
Roli i Rusisë në rajon
Dhe çështja e tretë për të cilën brengosen autoritet kosovare është implikimi i Rusisë në rajon. Sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, “Kosova është një front evropian, ku nga këtu mbrohet edhe Parisi, edhe Londra, edhe Berlini”, sepse qytetarët e Kosovës sipas tyre kultivojnë dhe mbrojnë vlerat euroatlantike.
Nikoqiri i konferencës ndërkombëtare “Germia Hill”, Hashim Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme Kosovës në fjalën e tij foli për rëndësinë e integrimit të rajonit në mekanizmat euroatlantikë. Sipas Thaçit, nëse Kosova dhe rajoni vazhdojnë të mbahen të bllokuara, pasojat do të jenë të mëdha. “Rajoni sot është në paqe, por në armiqësi me dekada. Sa më shumë që vonohet Bashkimi Evropian, krijohen disa hapësira krejt të panevojshme për ndikim, them minimaliste të Rusisë dhe Lindjes së Mesme,” – tha shefi i diplomacisë kosovare Hashim Thaçi, duke kërkuar përshpejtimin e dialogut me Brukselin.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se sfidat e reja të sigurisë janë të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit. “Problemet e sigurisë mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit dhe mekanizmave të përbashkët të sigurisë ndërkombëtare,” – tha Dushko Markoviq. Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, ndërkaq, thotë se përcaktimi pro-perëndimor i Kosovës dhe rajonit mund të shihen si pengesa për Moskën, por edhe për grupet radikale. “Ballkani Perëndimor sot ka një tendencë, influencë dhe të ardhme totalisht perëndimore. Por, kjo dëshirë për të qenë pjesë e perëndimit dhe jo e lindjes nuk i rrinë mirë një kryeqyteti si Moska, që ka dashuri të vjetra të lidhura me këtë rajon. E, aq më pak i vjen mirë një shteti të quajtur islamik, i cili po tregon çdo ditë e më tepër radikalizmin përmes barbarisë, që ne shikojmë çdo ditë,” – tha ministrja Mimi Kodheli.
Konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”, që u mbajt në Prishtinë mblodhi afro 200 pjesëmarrës nga 40 shtete të ndryshme të botës. Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe instituti me renome botërore “Aspen Institute”. Konferenca “Germia Hill” synon ta ndihmojë Kosovën në promovimin e agjendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale./DW