Rexhep Selimi nga Haga: Akuzat ndaj nesh janë të pabaza. UÇK nuk ishte parti politike, por ushtri çlirimtare
Në fjalimin e tij në gjykatën e Hagës, Rexhep Selimi tha se Serbia nuk e fshehu kurrë qëllimin e saj për të vrarë shqiptarët. Duke pyetur gjykatën sesi duhet të vepronin në kushtet e spastrimit etnik, të largoheshin a të prisnin radhën për t’u vrarë, Selimi tha se UÇK-ja ishte e vetmja zgjidhje. Një ushtri 100% vullnetare e krijuar nga nevoja për mbijetesë.
”Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj. Të prisnim radhën për t’u vrarë? Apo të iknim nga vendi e shtëpitë tona? Prandaj duhet të rezistonim. Unë iu bashkova Adem Jasharit. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nevoja. Nuk ishte aventurë, por mbijetesë. Unë isha pjesë e një ushtrie 100% vullnetare, nga njerëz që u detyruan të merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër”, tha Selimi.
Nga ana tjetër, Selimi tha se vendimi për të dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së duhet të jepet në bazë të provave dhe jo pretendimeve. ”Gjatë luftës, ndodhin shumë gjëra, ka kaos, frikë, dhimbje të akumuluara ndër vite. Lufta lë gjithmonë pasoja dhe viktimat e saj. Viktimat kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia që nuk mbështetet mbi të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë. Vendimet të mbështeten në atë që është provuar, jo në atë që është pretenduar”.
Nga ana tjetër Selimi tha se UÇK-ja ka kërkuar armë dhe nga vendet aleate dhe se shumë persona kanë vdekur duke rrezikuar armë, jo për të vrarë civilë e kundërshtarë politikë, por për të mbrojtur Kosovën. Selimi tha se prokuroria kërkon dënime të rënda, referuar pretencës me 45 vite burg secilit.
”UÇK nuk ishte parti politike. Madje edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalje në Kosovë në ‘99 dhe do të vazhdonte deri sot, unë ende do të isha ushtari i atdheut tim nëse nuk do të isha vrarë deri më tani pasi gjasat ishin reale. Bëmë gjënë e duhur dhe sot do të bëj të njëjtën gjë. Prandaj NATO na mbështeti. Prokuroria në dosjen e saj kërkon dënimin të rënda. Aq të gjata sa më thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë është në dorën tuaj por prokuroria duhet të ishte kuptuar që kurdo që të kthehem, do të kthehem më Kosovën e lirë”, tha Selimi.
KOHA JONË SONDAZH

