Rikthimi i luftëtarëve nga zonat e luftës, sfidë për Kosovën
Kosova vazhdon të përballet me sfidën e rehabilitimit të personave të radikalizuar në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Studiuesit shprehen se ka moskoherencë politike dhe moskoordinim mes institucioneve.
Kthimi i shtetasve kosovarë nga vatrat e luftës në Siri mbetet një sfidë për Kosovën.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në një raport të publikuar të mërkurën mbi temën, tha se mungon një politikë koherente qeveritare për riintegrimin social dhe ekonomik të personave.
Sipas studiueses, Teuta Avdimetaj, në vitet 2012-2018 numri i tyre në zonat e konfliktit i kaloi 400 vetët.
Avdimetaj: Ka qenë dhe një numër prej 400 qytetarësh nga Kosova, duke përfshirë këtu burra, gra dhe fëmijë. Ndonëse numri i fëmijëve nga kjo shifër edhe ka lindur në zonat e konfliktit. Ky trend arriti kulmin në vitet 2014-2015 dhë pësoi rënie në vitet në vazhdim.
Edhe pse Kosova ka krijuar mekanizmat institucionalë për deradikalizimin e personave, një pjesë e të kthyerve raportohet se po i qëndrojnë besnikë “Shtetit Islamik” dhe ideologjive ekstremiste.
Me ta po punohet përmes kurseve aftësuese, punësimit apo me ligjërata fetare që shihen edhe me paragjykim nga ish-luftëtarët dhe familjet e tyre.
Shala: Ata nuk e pranojnë bashkësinë islame si autoritet. Nëse ju i dërgoni atyre bashkësinë islame t’ju mbaj ligjëratë, është tamam si të çoni një ujk përpara deleve me qëllime të mira.
Studiuesi Skënder Perteshi sugjeron përfshirjen e shoqërisë civile në përpjekjet e riintegrimit të të kthyerve, dhe koordinim mes institucioneve.
Perteshi: Brenda sistemit korrektues është zhvilluar një program për rehabilitimin e luftëtarëve të huaj. Mirëpo shumica e dënimeve që kanë marrë këta luftëtarë kanë qenë dënime të shkurtra. Edhe ka pasur një mospërputhje mes programit të rehabilitimit dhe dënimit.
Në prill të vitit 2019, Kosova riatdhesoi 110 luftëtarë, gra dhe fëmijë, një numër i madh i janë kthyer më parë, disa mendohet të jenë vrarë ose kanë mbetur në zonat e luftës në Lindjen e Mesme.