Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi me kushte, përplasje për parime

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar mundësinë e rinisjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së shpejti, pas kompletimit të institucioneve të Kosovës, të dala pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Por, autoritetet e të dyja shteteve, të Kosovës dhe Serbisë, vazhdojnë të kenë pikëpamje dhe qëndrime skajshmërisht të kundërta se si do t’i qasen dialogut, vlerësojnë analistët shqiptarë dhe serbë, Donika Emini dhe Ognjen Gogiq.

Sipas tyre, tash për tash, për të dyja palët, vazhdimi i procesit të dialogut është i padëshirueshëm.

Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar parimet, si parakushte, me të cilat do t’i qaset procesit të dialogut me Serbinë, autoritetet e Beogradit i kanë cilësuar ato si ultimatume që çojnë drejt përfundimit të procesit dhe shkatërrimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun e Brukselit.

Ditë më parë, zyrtarët e Bashkimit Evropian, kanë deklaruar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë shprehur gatishërinë për rifillimin e dialogut.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, për sa i përket dialogut me Serbinë, tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij, i cili vazhdon të jetë i pandryshuar.

“Kryeministri Kurti ka dhënë katër parime për dialogun me Serbinë. E para, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur. Pra, nuk mund të kthehemi para pavarësisë së vitit 2008. E dyta, duhet të pranohet e vërteta. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe duhet të pranojë krimet që ka bërë. E treta, duhet të ulemi të barabartë. Kosova nuk mund të jetë temë diskutimi, por duhet të jetë palë e barabartë në diskutim. E katërta, duhet nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët. Dialogu nuk zhvillohet për të rregulluar imazhin e politikanëve, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Kryeziu.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje kabinetin e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, lidhur me parimet që Kurti ka prezantuar për bisedimet me Serbinë, por deri në publikimin e këtij teksti, nga Brukseli zyrtar nuk kanë kthyer përgjigje.

Ambsada amerikane në Prishtinë nuk ka dashur të komentojë parimet e paraqitura nga Kurti për dialogun, por tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar.

“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë i pandryshuar. Ne e mbështesim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, pas një takimi që pati të martën me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi tha se duhet koordinim me të gjitha palët e përfshira në dialog, përfshirë edhe komunitetin ndërkombëtar.

“Gjatë takimit të sotëm (e martë, 30 mars) me Besnik Bislimin, diskutuam rëndësinë e lidershipit në koordinimin me donatorët; konsultime të gjera më hisedarët në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja; dhe për vlerën e një shërbimi civil, apolitik dhe procesional”, ka shkruar Kosnett.

Por, ndaj këtyre parimeve, të cilat Kurti i kishte shprehur edhe më herët, ka reaguar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, më 24 mars. Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviq, përmes një komunikate për media, ka theksuar se Kurti përmes qëndrimeve të tija ka paralajmëruar fundin e dialogut dhe anulimin e gjithë asaj për të cilën është arritur pajtimi në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Ai ka thënë se “kërcënimet e Kurtit se kusht për vazhdimin e dialogut është që Beogradi ta njohë Kosovën, t’i pranojë krimet e pretenduara në Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë e shembin dhe e shkatërrojnë të ardhmen e dialogut dhe gjetjen e kompromisit, sidomos me qëndrimin e Kurtit se ai nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në një intervistë për Radion Evropa Lirë, më 25 mars të vitit 2021, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se takimi i parë i nivelit të lartë të përfaqësimit politik, mund të pritet “shumë shpejt dhe pa shtyrje të panevojshme”.

Ai ka deklaruar se është marrë vesh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të rinisë dialogu, pasi të përfundojë krijimi i institucioneve, përkatësisht zgjedhja e presidentit të vendit.

“Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai (Kurti) më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel, për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”, pati deklaruar Lajçak.

Emini: Kurti nuk e ka sqaruar procesin

Analistja Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, thotë se kërkesat e Kosovës janë krejtësisht legjitime. Sipas saj, kërkesat e Kurtit do të ishin shumë relevante po të ishin parashtruar në vitin 2011. Por, pas dhjetë vjetësh nga nisja e dialogut, krijimi i pozicionit të Kosovës në dialog, bazuar në kërkesat e Kurtit, kërkon kohë dhe konsensus të brendshëm politik, i cili vështirë se mund të arrihet.

“Pyetja është se sa janë ato të zbatueshme dhe sa e ka fuqinë politike Kosova që të hyjë me kërkesa të tilla në proces, pa i sqaruar hapat konkret që na çojnë te këto principe dhe parime, të cilat vazhdimisht i kemi kërkuar. Tash, nëse shihet, pozicioni i Kurtit, sidomos pranimi i realitetit, i bie që të pranohet Kosova e pavarur. Kjo nuk mundet të jetë elementi i parë në negociata. Si objektiv kryesor, normalisht që kjo është për Kosovën, mirëpo nuk është hapi i parë (në dialog). Duhet gjithsesi që të ndërtohet një proces, i cili na çon deri aty, proces të cilin nuk e ka sqaruar Kurti deri më tash”, tha Emini.

Ajo shtoi se në përgjithësi kërkesat e Kurtit janë vështirë të realizueshme për një kohë të shkurtër.

Por, sipas saj, në kuptimin strategjik, këto kërkesa i japin kohën e domosdoshme atij për konsolidim të brendshëm, por edhe për vetë procesin e dialogut. Megjithatë, ajo ka shprehur habinë se si parimi i Kurtit që “nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët”, është renditur si parimi i katër, ndërkohë që, sipas Eminit, më herët Kurti kishte insistuar që ky parim duhej të ishte në krye.

Gogiq: Beogradit nuk i konvenon vazhdimi i dialogut

Mendim të ngjashëm ka edhe Ognjen Gogiq, analist nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicën e Veriut. Megjithatë, sipas tij, përvoja nga qeverisja e kaluar e Kurtit, ndonëse e shkurtër, ka treguar se ai është i papërkulshëm dhe i pakompromis edhe me kushtin që qeveria e tij të rrëzohet. Siç thotë ai, pritet që Kurti ngjashëm të insistojë në parimet e tij, por nuk do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, për shkak se parimet e Kurtit për fillimin e dialogut, në fakt janë format eventuale të zgjidhjes përfundimtare brenda dialogut.

“Unë mendoj që ai po i hyn rrezikut që të shpallet fajtor për mossuksesin e dialogut edhe pse, në fakt, ai nuk do të jetë. Beogradit, tash për tash, nuk i konvenon në asnjë mënyrë që të vazhdojë dialogu dhe që ai të sjellë rezultate, sepse Serbia do të jetë para zgjedhjeve për president dhe me siguri edhe zgjedhjeve parlamentare, në vitin tjetër. Presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq nuk do të lejojë fare që fushëveprimi t’i largohet. Mbase mund të simulohet një lloj dialogu, sidomos për shkak se pozicioni ndërkombëtar i Beogradit është dobësuar për shkak të çështjeve të brendshme. Por, presidenti Vuçiq nuk do të lejojë që Kosova të bëhet pjesë e fushatës (zgjedhore)”, theksoi Gogiqë.

Ai shtoi se Vuçiq, pavarësisht se nuk e do aktualisht dialogun, do t’ia lë Kurtit që ai të jetë përgjegjës për mossuksesin e këtij procesi.

Emini dhe Gogiq, kanë shprehur mendimin që kurdo që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të vazhdojë, palët do t’i “thyejnë shtizat” për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka theksuar se lidhur me çëshjen e Asociacionit, pozicioni i Kurtit është i qartë.

“Në lidhje me Asociacionin, kryeministri ka potencuar se Neni 44 i Kushtetutës rregullon lirinë e asociimit dhe se ai nuk mund të jetë njëetnik”, tha Kryeziu.

Donika Emini shpreh mendimin se qëndrimi i Kurtit për Asociacionin nuk është që ta shmangë këtë temë, por që ta refuzojë. Sipas saj, deri më tash, praktikat kanë treguar se nga zvarritja e procesit të dialogut ka përfituar Serbia. Pikërisht për këtë arsye, sipas saj, Vuçiqi insiston që në dialog të diskutohet çështja e Asociacionit, duke e ditur qëndrimin e Kurtit për këtë çështje.

“Duke qenë të dy në pozicione ekstremisht të kundërta dhe përjashtuese të njëra-tjetrës, unë e shoh që pikërisht këtu ka për të qenë pika ku do të ballafaqohen Vuçiqi dhe Kurti. Kjo mund të ketë edhe implikime të brendshme, sepse dihet shumë mirë që ndaj Asociacionit nuk është se ka ndonjë qëndrim refuzues nga BE-ja dhe as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet që kur është lehtësuar kjo marrëveshje, kanë qenë pikërisht SHBA-ja dhe BE-ja që kanë punuar në të, kështu që do të jetë problematike edhe për Kurtin se si do të navigojë me partnerët strategjikë”, u shpreh Emini.

Ajo shtoi se në rast se do të krijohen probleme dhe ndarje në raport me qasjen ndaj partnerëve strategjikë të vendit, atëherë ndarjet e tilla mund të ndodhin edhe në raportet ndërmjet Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e cila aktualisht është pretendentja kryesore për pozitën e presidentit të vendit.

Se formimi i Asocacionit do të jetë çështje e kontestuar, sipas analistit Gogiq, kjo nuk ka dyshim, në rast se shihet pozicioni i Kurtit.

Megjithatë, sipas tij, formimi i Asociacionit nuk është vetëm çështje e marrëveshjes së arritur në Bruksel, por ajo e ka burimin nga Dokumenti i Ahtisarit.

Mbi bazën e këtij dokumenti, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008.

Gogiq thotë se edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2015, kur kishte konstatuar se një numër pikash të Marrëveshjes për Asociacionin nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, nuk e kishte përjashtuar, por e kishte rekomanduar formimin e Asociacionit, duke e harmonizuar statutin e saj me Kushtetutën.

“Beogradi insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndonëse një gjë e tillë nuk është pjesë e marrëveshjes. Kjo nuk ka qenë pjesë e marrëveshjeve as në vitin 2013 dhe as në vitin 2015. Por, unë mendoj që kjo është çështje e taktikës së Beogradit. Beogradi qëllimshëm insiston (për komepetenca ekzekutive për Asociacionin) duke e ditur që Prishtina do ta refuzojë këtë. Kjo ka ndodhur edhe gjatë vitit të kaluar. Por, Beogradi nuk e ka vërtetë qëllimin për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Beogradi, me kohë është dashur që ta konfirmojë statutin e Asociacionit. Por, nuk e ka bërë. Do të thotë, kjo çështje shtyhet përpara, duke e ditur që Prishtina do ta refuzojë. Beogradi po e plason këtë qëllimisht, me synimin që bisedimet të ndërprehen që në fillim”, tha Gogiq.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë. /Rel/

SHKARKO APP