Rritet dhuna në Kosovë, 22 për qind më shumë denoncime gjatë pandemisë

Në Kosovë prej më shumë se një muaj janë vendosur masa kufizuese për shkak të pandemisë. Ky veprim ka sjellë një rritje me 22 % të dhunës në familje krahasuar me vitin 2019.

Në Kosovë masat për izolimin në banesë kanë sjellë një rritje të dhunës në familje. Bajram Krasniqi, nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, thotë se brenda këtyre dy muajve krahasuar me vitin 2019 ka një shtim të rasteve të denoncimeve me 22 për qind.

“Periudha e vitit të kaluar me periudhën e vitit 2018 ka një rritje 19 për qind. Po ashtu, edhe në këta katër muaj 2020 në krahasim me këta muaj të vitit 2019 ka një rritje 19 për qind që është një rritje konstante që ka ndodhur edhe më herë edhe pse nuk kemi pasur pandeminë COVID. Referuar shifrave tona gjatë periudhës katër mujore të këtij viti krahasuar me katër muajt e vitit të kaluar kemi një rritje nga 521 raste në vitin 2019 në 648 raste për katër muajt e parë të këtij viti ose shprehur në përqindje kemi 19 për qind rritje. Kurse ne e dimë rastet e para me COVID në fillim të muajit mars dhe nëse e marrim muajin mars të plotë dhe muajin prill po ashtu plotë krahasuar me marsin dhe prillin e vitit të kaluar në vitin e kaluar kemi pasur 262 raste të dhunës në familje kurse këtë vit kemi 362 raste të dhunës në familje ose shprehur në përqindje 22 për qind më tepër të rasteve të dhunës në familje”, theksoi ai.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

Koordinatorja kundër dhunës në familje në Rrjetin e Grave të Kosovës, Erza Kurti, thotë se ndonëse mundësia e raportimit është zvogëluar, dhuna në familje është rritur.

“Është një situatë mjaft shqetësuese pasi ne e dimë që të gjithë mund të përjetojnë dhunë dhe jo vetëm gratë, por në bazë të hulumtimeve tona e dimë që më të prekur janë gratë dhe fëmijët. Kështu që situata në përgjithësi është mjaft e vështirë për gratë, pasi që shumica nuk janë në punë për shkak se i kanë larguar nga puna për shkak të pandemisë dhe burrat janë në shtëpi ose punojnë nga shtëpia ose nuk janë duke punuar. Edhe shkollat e mbyllura janë një vështirësi tjetër për gratë, pasi ato e kanë përkujdesjen më të madh ndaj shtëpisë dhe familjes… Është vështirësi e madhe të jetosh me dhunuesin dhe mos të kesh rrugëdalje. Pandemia ka sjellë frikën edhe ndaj raportimit për dhunë në familje.”

Arsimi, punësimi i grave si dhe rritja e ndërgjegjësimit janë strategjitë kryesore që po ndiqen për të ndikuar në uljen e dhunës në familje.

Ndërkaq autoritetet kanë kërkuar denoncim të çdo rasti kur konstatohen akte të tilla.

SHKARKO APP