Rusia mbështet qëndrimin serb ndaj Kosovës
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ngulë këmbë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka ritheksuar mbështetjen e Moskës për qëndrimin e Beogradit kundrejt Kosovës.
Në një paraqitje para gazetarëve në Moskë bashkë me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ministri rus tha se Rusia dhe Serbia nuk i kanë harruar bombardimet e NATO-s të vitit 1999 mbi Serbinë.
“Më 24 mars, në Ballkan është shënuar përvjetori i fillimit të agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë. Në Serbi dhe në Rusi, njerëzit nuk i kanë harruar ato 78 ditë të bombardimeve të NATO-s. Kjo ishte një traumë, një plagë e hapur në zemër të popullit serb. Ne ndjejmë për këtë dhe e dimë se ende vazhdojnë pasojat e këtij agresioni“, tha ai.
Ministri Lavrov tha se Rusia mbështetë qasjen e Serbisë në procesin e zgjidhjes së çështjeve që sipas tij kanë të bëjnë me statusin e Kosovës.
“Këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv midis Beogradit dhe Prishtinës. Dhuna nuk duhet të pranohet. Incidente janë duke ndodhur, përfshirë sulmet kundër kishave ortodokse dhe objekteve tjera serbe në Kosovë. Po ashtu, çdo shmangie ga marrëveshjet që janë arritur, është e papranueshme“, tha ministri rus.
Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe është mbështetësja kryesore e Serbisë edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa, ministri serb, Ivica Daçiç, tha se pa Rusinë, Kosova shumë kohë më parë do të mund të siguronte ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.
Ai e siguroi ministrin serb se Beogradi nuk ka ambicie dhe as mbështetje të qytetarëve të Serbisë për t’u anëtarësuar në NATO.
“Ne duam marrëdhënie të mira në kuptimin e bashkëpunimit dhe qasje konstruktive, në mënyrë që bombardimet që kanë ndodhur në vitin 1999 të mos ndodhin më”, tha ministri serb, i cili në kohën e luftës së Kosovës, ishte njëri nga bashkëpunëtorët me të ngushtë të ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.
Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe në dhjetor të vitit 2015 hapi negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.
Beogradi kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.
Qëndrimi pro rus apo pro perëndimor i Serbisë, është pjesë e debateve të brendshme para zgjedhjeve të 24 prillit në Serbi, posaçërisht pas marrëveshjes së shkurtit të këtij viti për bashkëpunim me NATO-n, që parasheh lëvizje të lirë dhe imunitet për të gjithë pjesëtarët e aleancës veri-atlantike në Serbi.
Beogradi vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. VOA