Sa keq qenka me qenë atdhe i shqiptarit

“Pini kafenë të qetë, ngrini herë pas here ndonjë flamur dhe lërjani të tjerëve botën dhe të drejtën. Herë pas here dëgjoni ndonjë përgjim për të shtyrë kohën. Ne nuk na duhet se ç’ndodh me ne. Ne flasim shqip sa për të thënë se të tjerët mendojnë për ne. Ne besojmë nga që përtojmë të mendojmë dhe kemi opinion ngaqë përtojmë të gjykojmë. Sa mirë qenka me qenë shqiptar, por sa keq qenka me qenë atdhe i shqiptarit”…

 Nga Elvis Hoxha

Pini kafenë të qetë, ngrini herë pas here ndonjë flamur dhe lërjani të tjerëve botën dhe të drejtën. Herë pas here dëgjoni ndonjë përgjim për të shtyrë kohën. Ne nuk na duhet se ç’ndodh me ne. Ne flasim shqip sa për të thënë se të tjerët mendojnë për ne. Ne besojmë nga që përtojmë të mendojmë dhe kemi opinion ngaqë përtojmë të gjykojmë. Sa mirë qenka me qenë shqiptar, por sa keq qenka me qenë atdhe i shqiptarit

Paradoksi ynë më i madh, ai që është në kushtetutën tonë mendore mund të thuhet përmbledhtas: ne besojmë se ekziston në botë dikush që na do më shumë se ç’e duam veten. Mund të themi se që këtej rrjedhin të gjitha të këqijat e tjera. Ne besojmë se Amerika na do më shumë se ç’e duam ne veten. Besojmë se ajo mendon për ne më shumë se ç’mendojmë ne për veten. Dhe për këtë arsye e mendojmë Amerikën të mirë. Sikur të përpiqemi vetëm për pak çaste të mendojmë, thjeshtë të mendojmë, do kuptojmë se Amerika nëse do të na donte më shumë se ç’e duam veten nuk do të ishte as e mirë dhe as e mençur. Mendoni një masë treqind milionëshe që ia do të mirën nja nëntë milionë shqiptarëve në Ballkan kur në botë duhet të ndërtojë raporte me 1 miliardë e gjysmë kinezë dhe me nja 150 milionë rusë. Eh pra, mashtrimi më i madh që një kolektiv mund t’i bëjë vetes është të mendojë se një shtet superfuqi, në mes të kësaj bote kaq të ndërlikuar në sasi dhe interesa, në kulturë e qëllime, po mendon natë e ditë për të. Dhe mashtrimi nuk ndodh ngaqë jemi budallenj, por e kemi kuptuar se në një botë të ndërlikuar, budalla mund të mbijetojë edhe pse nga të gjitha anët e marrin për budallë.

Forma e dytë e paradoksit mund të thuhet disi më saktë: ekziston në botë një shtet i cili do universalisht. Por një shtet që dashuron të drejtën universalisht është utopik në përkufizim. Që një shtet të dojë të drejtën universalisht, do të thotë të sakrifikojë botën për të drejtën dhe të drejtin. Por asnjë shtet nuk është tërësisht i drejtë, ndaj duhet ta nisë nga flijimi i vetes. Shteti nuk është individ. Një individ mund ta dojë të drejtën universalisht dhe mund të mbrojë të drejtin universalisht. Por jo shteti. Shteti është forma e përfaqësimit të një larmie interesash dhe talentesh, të një shumësie njerëzish dhe dijesh. Një shtet përgjigjet vetëm për kolektivin që ka marrë përsipër në përfaqësim, por jo për të tjerë. Për çdo shtet, i madh apo i vogël, subjektet e tjerë politikë janë ndryshore të përkohshme të lojës. Ky paradoks prodhon qenie paradoksale kudo nëpër institucionet tona të pushtetit dhe administrimit. Këto institucione hiqen për kozmopolitë dhe bëjnë të pamundur mendimin dhe aktet politike, grabisin pasuritë publike dhe aftësitë private: që nga Presidenti deri te punonjësi më i thjeshtë i medias dhe shoqërisë civile, gjyqësorit dhe administratës gjen një mashtrues dhe grabitës. Një hajdutëri që na thotë ditë për ditë një refren: mos u trishtoni që po iu grabisim, që po luajmë k… me ju, sepse nëna Evropë dhe nëna Amerikë do t’ia u gjejnë një zgjidhje se si të shpëtoni nga ne. Dhe frika nga të menduarit vetë zëvendësohet nga besimi në çdo perëndi e perandori, sado të largëta e të huaja të jenë. Dhe shqiptari rend ngado si i çmendur. Pra, duke u hequr gjithnjë si budallë, shndërrohet në i çmendur.

Forma e tretë e paradoksit: Një shtet që të do universalisht duhet të shohë se je dhe në indin tënd më të imët i drejtë, absolutisht i ndershëm, përfaqësues universal dhe integral i së drejtës. Ne e njohim mirë veten, e dimë cilësinë e votës sonë, e dimë aftësinë tonë korruptuese të institucioneve. Kështu që në këtë pikë nuk ka nevojë për koment. Nga ku forma e katërt e paradoksit.

Forma e katërt e paradoksit: një shoqëri si e jona, me masën më të madhe të krimit, imoralitetit, grabitjes së pronës së përbashkët, tradhtisë së heronjve të vet, simboleve të veta, injorantë i mendimtarëve dhe luftëtarëve të vet, degjenerues i të gjithë institucioneve të veta, beson se një shtet tjetër është aq i drejtë dhe i mirë sa do ta mbështesë e mbrojë në çdo rast. Pra, jo vetëm budallë dhe i çmendur, por i çmendur i një lloji specifik: skizofren. E thënë ndryshe: ne që besojmë aq verbërisht se një shtet, qoftë dhe Amerika, mund të dojë universalisht, nuk jemi të aftë të ndërtojmë një segment shtetëror të ndershëm.

Forma e pestë e paradoksit: heroi te ne është i tepërt sepse është e tepërt frika e njerëzve të tij. Heroi nuk na shërben as si shembull, as si referim moral, as si fryma e kushtetimit tonë. Ai ka lindur për t’u harruar bashkë me vdekjen e vet. Heronjtë janë të çdo lloji: nga Jasharët te Majlinda Kelmendi. Kujdes me Majlindën, sepse është gjallë ende dhe ka mundësi ta shohë në gjallje të vet se si do t’i humbë medalja përtej kufirit. Do jetë e para heroinë që do ta vrasim para vdekjes. Në fakt, për të qenë më i saktë: kemi tradhtuar plot të tillë.

Pini kafenë të qetë, ngrini herë pas here ndonjë flamur dhe lërjani të tjerëve botën dhe të drejtën. Herë pas here dëgjoni ndonjë përgjim për të shtyrë kohën. Ne nuk na duhet se ç’ndodh me ne. Ne flasim shqip sa për të thënë se të tjerët mendojnë për ne. Ne besojmë nga që përtojmë të mendojmë dhe kemi opinion ngaqë përtojmë të gjykojmë. Sa mirë qenka me qenë shqiptar, por sa keq qenka me qenë atdhe i shqiptarit.  Koha.net

SHKARKO APP