Seanca në Specialen e Hagës, ish-drejtuesi i UÇK-së deklarohet i pafajshëm: Lufta e domosdoshme, pres drejtësi

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Mustafa u deklarua i pafajshëm për katër pika të aktakuzës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Para kësaj ai dha një deklaratë para gjykatës ku tha se shpreson që Dhomat e Specializuara do të prodhojnë drejtësi, por kërkoi që ky organ i drejtësisë të zgjerojë fushëveprimtarinë e saj dhe të hetojë e gjykojë edhe rastet e vrasjeve të fëmijëve në Kosovë, masakrat e kryera në Kosovës, të hetojë për të pagjeturit dhe krimet e tjera, që sipas Mustafës janë kryer nga “regjimi gjenocidial” i Sllobodan Millosheviqit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai tha se beson se lufta e ish-Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë “e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mustafa tha se shpreson që Dhomat e Specializuara nuk do të ndikohen nga politika apo nga persona, që siç u shpreh ai, përmes kësaj gjykate duan të “qërojnë hesape”.

“Jam i bindur që pajtimi i popujve nuk bëhet duke ua mprehur shpatat xhelatëve e viktimat duke i viktimizuar për së vdekuri”, tha Mustafa, teksa shtoi se disa eksponentë të kohës së regjimit të Millosheviqit janë ende pjesë e vendimarrjes politike në Serbi.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?