Serbët e Graçanicës duan Vuçiçin

Qytetarët serbë kanë votuar sot për presidentin e Serbisë. Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 të mëngjesit dhe deri në mesditë një numër i madh i qytetarëve iu drejtua kutive të votimit.

Edhe pse jetojnë në Kosovë, serbëve iu lejua votimi për presidentin e shtetit që ata e konsiderojnë si shtet të tyre.

Në shkollën e quajtur “Kral Milutin” në Graçanicë është parë një numër i madh i zyrtarëve të OSBE-së të cilët po ndihmojnë këtë proces që po mbahet në një shtet tjetër.

Në shtatë salla të kësaj shkolle, të drejtën për të votuar e kanë qytetarët e Prishtinës, Graçanicës, Novobërdës, Hajvalisë, Bërnicës së Poshtme dhe të Epërme, Badocit dhe fshatrave tjera të rajonit të Prishtinës.

Në garë për president të Serbisë janë 11 kandidatë dhe favorit për t’i fituar këto zgjedhje është kryeministri aktual Aleksandër Vuçiç nga partia Përparimtare Serbe.

Kështu është edhe opinioni i atyre qytetarëve që ka intervistuar sot “KosovaPress”, ndonëse shumë nga ta nuk kanë dashur që të flasin para kamerës kur kanë kuptuar se bëhet fjalë për mediume shqip.

SHKARKO APP