Serbët e lidhin vizitën e Putinit me Kosovën

Ekspertët serbë thonë se presidenti Vuçiç do të përpiqet të përdorë vizitën e Vladimir Putinit në nëntor për t’i bërë përshtypje votuesve nacionalistë në një periudhë të ndjeshme, kur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë mund të jetë e afërt.

 Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar se Vladimir Putini i Rusisë do të vizitojë Serbinë më 1 nëntor, ekspertët thonë se vizita e Putinit lidhet me rritjen e presionit mbi Beogradin për të zgjidhur çështjen e

Kosovës.

Bojan Klacar, nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CESID, një OJQ në Beograd, tha për BIRN se Kosova do të jetë në krye të rendit të ditës.

“Kosova, statusi dhe negociatat e saj, do të jetë një nga temat kryesore në atë kohë. Në këtë kuptim, vizita e tij do të jetë një nxitje për votuesit e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit,” shpjegoi Klacari.

Ai shtoi se vizita e Putinit gjithashtu do t’i dërgonte një mesazh komunitetit ndërkombëtar se Rusia është e vendosur të përfshihet në çdo marrëveshje përfundimtare mbi Kosovën, “në këtë moment të ndjeshëm, ndoshta në fazën përfundimtare të bisedimeve për një marrëveshje të detyrueshme ligjore”.

Ndërsa Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, ajo de facto u shkëput prej saj vite më parë, në vitin 1999, si rezultat i sulmeve ajrore të NATO-s mbi Serbinë.

Shumica e vendeve perëndimore, përfshirë SHBA-në, e kanë njohur Kosovën shumë kohë më parë, por shtetësia e Kosovës ende vazhdon të kontestohet nga Serbia dhe Rusia dhe është refuzuar nga pesë shtete anëtare të BE-së.

Klacar shtoi se vizita e Putinit do të nënkuptojë edhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve me Rusinë.

Vizita u konfirmua gjatë një takimi të Vuçiçit dhe ambasadorit rus në Serbi, Alexander Chepurin, më 29 qershor.

Sipas faqes zyrtare të presidentit Vuçiç, “situata rajonale, sidomos dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës”, do të ishte në krye të axhendës.

Ajo shtoi se gjatë vizitës, do të nënshkruhej një marrëveshje bilaterale midis dy vendeve si një shenjë e “thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve”.

“Presidenti Vuçiç tha se vizita e presidentit Putin është një nder i madh për Serbinë dhe konfirmimin e lidhjeve tradicionale miqësore serbo-ruse,” tha ajo.

Raporti theksoi se presidenti rus do të vizitonte Serbinë me rastin e njëqind vjetorit të çlirimit të Beogradit në Luftën e Parë Botërore në vitin 1918.

Sociologu nga Beogradi Jovo Bakiç tha se Vuçiç ndoshta do të përpiqej të përdorte vizitën e Putinit për të kënaqur votuesit nacionalistë të shqetësuar, shumë prej të cilëve druhen se Serbia do të duhet të braktisë pretendimin e saj mbi Kosovën vetëm për t’u anëtarësuar në BE.

“Është në funksion të negociatave për Kosovën dhe dëshirës së Serbisë për të hyrë në BE sa më shpejt që është e mundur, por gjithashtu i dërgon një mesazh nacionalistëve vendas se Vuçiç ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin,” tha Bakiç për të përditshmen Danas më 2 korrik.

Bakiç shtoi se udhëtimi do t’i mundësonte gjithashtu Putinit të dërgonte një mesazh tek kundërshtarët e tij në SHBA dhe BE se Moska ka disa “karta të mira” për të luajtur në Ballkan.

Gazeta pro-qeveritare Informer raportoi në maj, pas vizitës së Vuçiçit në Moskë, se Putini i kishte premtuar Vuçiçit se Rusia do ta mbronte Kosovën “si të ishte tokë ruse”.

“Serbia mund të mbështetet në ndihmën maksimale të Rusisë në luftën për Kosovën dhe Metohinë,” tha raporti, duke cituar burimet e tij.

Dy muaj më parë, një ministër serb, Nenad Popoviç, tha se Serbia donte që Rusia të përfshihej më shumë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga BE-ja.

“Vetëm duke përfshirë Rusinë në dialog mund të garantojmë sigurinë e popullit serb dhe mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë,” tha Popoviç, raportoi një agjenci lajmesh.

Vetë presidenti serb konfirmoi në dhjetor 2017 se Rusia dëshironte të merrte pjesë në dialog.

Megjithatë, një analist serb, Dragomir Andjelkovic, tha se dyshonte se Putini po vinte në Beograd thjesht për të ndihmuar Vuçiçin “të shesë” një marrëveshje mbi Kosovën votuesve serbë.

“Unë do ta përjashtoja mundësinë që një lider botëror si Putini, i cili e di shumë mirë se çfarë po bën, do të vinte në Beograd për të qenë në funksion të politikës së dikujt tjetër,” tha ai për gazetën Danas, që do të thotë Serbia.

 

SHKARKO APP