Serbia bojkoton konferencën e KiE-së për Gjykatat Kushtetuese

Këshilli i Europës ka organizuar në Prishtinë një konferencë ndërkombëtare për Gjykatat Kushtetuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por e cila u bojkotua nga përfaqësuesit e Serbisë.

Edhe pse në këtë konferencë ndërkombëtare nuk kishte simbole shtetërore dhe Këshilli i Europës e paraqiti Kosovën me fusnotë dhe sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila nuk njeh shtetësinë e Kosovës, sërish përfaqësuesit serbë nuk janë bindur që të udhëtojnë drejt Prishtinës për të marrë pjesë  në konferencë.

Përveç Serbisë, në konferencën ndërkombëtare me temën “Interpretimi dhe zbatimi i Konventës Europiane për të drejtat e njeriut nga Gjykatat Kushtetuese n? Ballkanin Perëndimor” ishin të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e Gjykatave Kushtetuese nga Kosova, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Prishtinë, Isabelle Servoz – Galluçi, e pyetur nga Top Channel për mungesën e Serbisë, ajo tha se nuk kanë marrë ndonjë arsyetim për mungesën.

“Ndodh ndonjëherë që të ketë mungesë të ndonjë vendi përfaqësues dhe këtë herë ka qenë Serbia, përfshirë Bosnjën dhe Slloveninë. Por kjo ndodhë. Ndodh që axhenda e tyre është tejet e ngarkuar, por fatmirësisht ne e kemi shumicën e të ftuarve prezentë dhe kemi shkëmbim të përvojave të ndryshme nga këto vende”, deklaroi ajo.

Për arsye të mosnjohjes së Kosovës si shtet i nga ana e Këshillit të Europës, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha në hyrje të kësaj konference se qytetarët e Kosovës janë të vetmit shtetas në rajon që nuk mund të padisin shtetin e tyre para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky fenomen, sipas Kuçit, vetvetiu mund të konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi tha se pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Europës, ajo zbaton të gjitha detyrimet që rrjedhin nga konventa e këtij KiE-së.

Ajo madje ka përmendur disa raste kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në bazë të parimeve të konventës dhe praktikave gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

SHKARKO APP