Serbia kundër marrëveshjes Shqipëri-Kosovë për ambasadat
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç e ka cilësuar si skandaloze marrëveshjen e sapofirmosur mes ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës për unifikim të shërbimit diplomatik. Ajo i tha televizionit PINK se është e habitur edhe nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar për veprimin e Tiranës dhe Prishtinës për një politikë të jashtme të përbashkët.
“Është e tmerrshme, është e tmerrshme. Është skandal që ende nuk kemi parë asnjë reagim zyrtar as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as të Bashkimit Evropian. Kjo nuk është naive, kjo është tejet serioze”
Kryeministrja serbe tha se shpresonte tek shefi i ri i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, kryediplomatit spanjoll Jozef Borel, vendi i të cilit nuk e ka njohur Kosovën.
Edhe pas takimit me Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, shefja e qeverisë serbe tha se nuk pritet që së afërmi të rinisë dialogu mes Prishtinës e Beogradit.
Ajo ritheksoi qëndrimin se dialogu duhet të zhvillohet nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian ndërsa la të hapur mundësinë që për lehtësimin e tij të përfshihet administrata amerikane, por edhe vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.