Serbia nis stërvitje ushtarake pas incidentit në veriun e Kosovës

Nën vështrimin e mprehtë të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe diplomatëve të huaj, ushtria e Serbisë përveshi muskujt të enjten duke shtënë me municione lufte në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve në një terren stërvitjesh në lindje të Beogradit.

Stërvitja me emrin e koduar “Sinergjia 2018”, u krye tri ditë pasi policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuesve serbë në qytetin e Mitrovicës në veriun e Kosovës dhe për një kohë të shkurtër e mbajti të arrestuar një zyrtar të qeverisë serbe.

Incidenti përkeqësoi marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara në mes të Serbisë dhe Kosovës, ish-krahinës së saj jugore e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një lufte të përgjakshme një dekadë më herët.

Swiss Digital Desktop Reklama

Komandanti i armatës serbe, gjenerali Lubisha Dikoviç, tha se stërvitjet që përfshinë më shumë se 900 trupa ishin pjesë e ushtrimeve të planifikuar për vitin 2018.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne gjithmonë kemi pasur ushtarë të mirë, duam të kemi edhe më shumë të tillë…duam që ata të jenë edhe më të stërvitur”, u tha ai gazetarëve në terrenin e stërvitjeve Pasuljanske Livade.

Buxheti ushtarak i Serbisë për vitin 2018 është 70.5 miliardë dinarë, (afërisht 595 milionë euro), 23.6 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

Forcat e saj përdorin kryesisht teknologji sovjetike të viteve të 80-ta dhe Beogradi dëshiron të modernizojë pajisjet. Disa nga armët e përdorura në stërvitje ishin të vjetruara, por ende funksionale.

“Ne i nxorëm nga magazinat, i rinovuam … dhe siç mund ta shihnit, ato punonin mirë,” tha presidenti serb Vuçiç.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por një nga pak vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të aleancës së NATO-s, e cila është shumë jopopullore ndër serbët që nga fushata e bombardimeve të vitit 1999 që dëboi forcat serbe jashtë Kosovës. Paqeruajtësit e NATO-s janë ende atje.

Në vitin 2006, Serbia, e cila ka zgjedhur neutralitetin ushtarak, u bashkua ne programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe në vitin 2015, nënshkroi Planin Individual të Veprimit të Partneritetit – shkalla më e lartë e bashkëpunimit midis aleancës dhe një vendi që nuk synon të anëtarësohet.

Serbia gjithashtu ruan lidhjet e ngushta ushtarake me Rusinë, aleaten e saj tradicionale ortodokse dhe sllave.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?