Sërish “bombë” në Kuvendin e Kosovës, plas gazi lotsjellës

 

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës është hedhur sërish gaz lotsjellës. Salla e Kuvendit është bllokuar dhe mediat nuk u lejuan të hyjnë brenda.

Policia e sigurimit e Kuvendit bëri me dije se gazi lotsjellës është hedhur nëpër korridoret e Kuvendit dhe jo në sallën ku mbahen mbledhjet. Sipas tyre, salla e seancave aktualisht është e pastër dhe ruhet nga policë civilë.

Lëvizja "Vetëvendosje" mori përsipër autorësinë e hedhjes së gazit lotsjellës, edhe kësaj here përmes një njoftimi për mediat.

“Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës pranë zyrës së Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Ky i fundit e blindoi Kuvendin me forca policore, njësoj si Isa Mustafa po e blindon shoqërinë duke arrestuar, përndjekur e rrëmbyerr deputetë e qytetarë”, thuhet në njoftim.

Opozita shton se nuk do të lëshojë pe kur është në pyetje sovraniteti shtetëror, interesi qytetar, liria dhe barazia. 

“Protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi", mbyllet komunikata.

 

SHKARKO APP