Sfidat më e madhe të Kosovës janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit
Në konferencën për shtyp, në selinë e KIPRED-it është thënë se sfidat më të mëdha me të cilat po ballafaqohet Kosova janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit.
Ariana Qosaj-Mustafa, hulumtuese e KIPRED-it, duke i paraqitur rezultatet e hulumtimit tha se, në Kosovë ekziston problemi i mungesës së vullnetit politik që institucionet shtetërore të kryejnë punën e tyre. Si shembull, ajo përmend luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku gjithçka ende mbetet në deklarime dhe fjalë. Sipas fjalëve të saj, sikur të ekzistonin institucione të forta atëherë rendi do të vinte edhe tek njerëzit që qeverisin me shtetin, do të thotë, elitën politike në Kosovë. Ajo ka theksuar se, në bazë të hulumtimeve të bëra, institucioneve kosovare ju kanë paraqitur 143 rekomandime, prej të cilave, 50 kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që të përmbushet kriteri i domosdoshëm i Bashkimit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave.
Ajo ka përmendur se, në bazë të monitorimit të publikuar për periudhën janar – qershor 2014, nga 365 rastet e identifikuara dhe të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Anti-korrupsion, Prokuroria ka quar duar në 55 % të rasteve, duke mos ngritur aktakuza.
Sfidë e madhe është edhe puna e Gjykatës Speciale të Kosovës. Kjo gjykatë, gjatë periudhës gjashtë mujore, ka ngritur vetëm 5 aktakuza, gjë që tregon mosgatishmërinë e institucioneve për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelin më të lartë, ka theksuar Mustafa.
Njëkohësisht, Veton Mujaj nga organizata “Syri i Vizionit”, që së bashku KIPRED-in ka punuar në këtë projekt, ka theksuar moskomunikimin ndërmjet të institucioneve qendrore dhe atyre lokale, që po ashtu është njëra nga arsyet e mospërmbushjes së kritereve për liberalzimin e vizave.