Shantazhuesi Rexhep Hoti u ndëshkua me votë, shpërblehet me post të lartë

Emërimet e mjegullta të zëvendësministrave në qeverinë Mustafa

Sipas burimeve brenda kryesisë dhe Këshillit të përgjithshëm të PDK-së, Rexhep Hoti është njeri i dështuar që kurrë në jetën e tij asgjë nuk ka arritur, me zero vlera njerëzore dhe e vetmja punë që di është shantazhi dhe lincimi i njerëzve që nuk i shkojnë për shtati nëntokës kosovare

Ndërkaq, në sektorë të ndryshëm të kulturës thuhet se Hoti u shpërblye me postin e zëvendësministrit për t’i kompensuar argatllëkun, por edhe për t’i mbyllur gojën që të mos nxjerrë në shesh të palarat e shefit të partisë. Ndërkaq, nën zë po flitet se ministri Shala po largon njerëzit e ashtuquajtur të SHIK –ut. Emërimi i Rexhep Hotit, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes tonë telefonike, edhe nga pjesa e më e madhe e opinionit po shihet si një pengesë për punën e ministrit Shala

Emërimi i zëvendësministrave në qeverinë Mustafa, po bëhet në mënyrë të mjegullt, dhe tejet të heshtur. Përllogaritjet në kthimin e ndereve, në mbylljen e gojës apo mbajtja nën kontroll e ministrave që kanë nisur punë me reforma të thella, duket se janë shkaqet që e kanë detyruar koalicionin qeverisës që të vertojë në këtë mënyrë. Për më tepër nga lista zyrtare që është ofruar nga Qeveria vëheret se në mjaft ministri janë emëruar njerëz të pakualifikuar, njerëz që nuk kanë treguar performancë të mirë në të njëjtën punë në të kaluarën apo njerëz me një të kaluar të dyshimtë. Askush nuk di ta shpjegojë lidhjen e aktorit Lirak Celaj me Ministrinë e Drejtësisë, ku është emëruar si zëvendës i Hajredin Kuçit. Realisht drejtësia është kthyer në tragjedi, nga vetë aktorët që përbëjnë drejtësinë dhe në këto kushte nuk kishte nevojë për një aktor të mirëfilltë.

Ndërsa, në disa ministri janë emëruar të njëjtët zëvendësministra që kanë qenë më herët, pa  analizuar më parë performancat e tyre, si Petrit Selimi në MPJ, Hajredin Hyseni në Ministrinë e Administratës  apo edhe Avni Kastratin në MTI. Ndërkaq, emrat të tjerë që janë bërë pjesë e sistemit qeverisës janë Bajram Gecaj në MAPL, Besa Gashi në MZHE, Ramadan Ilazi, në MI, Ferat  Shala në MMPH, Rita Hajzeraj Beqaj në MPMS, Vezir Januzaj në MB, Qaush Balaj në MKK, si dhe Rexhep Hoti në MKRS. Ndërkaq, emri i këtij të fundit është lakuar nga vetë autoritet e PDK –së, të cilat ai i përfaqëson, si një njeri me një të kaluar jo të mirë. Ajo çfarë e bën më të rëndë situatën është se në postin e zëvendësministrit zgjidhet një person, i cili nuk ka arritur dot të marrë as pëlqimin e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Reforma e Shalës nuk është pritur mirë nga PDK-ja

Në Ministrinë e  Kulturës e Rinisë dhe Sporteve ka nisur një reformë e thellë gjithëpërfshirëse pas emërimit të ministrit Kujtim Shala.  Kjo reformë duket se nuk është pritur mirë, madje, sipas burimeve nga kryesia e PDK –së, pikërisht për këtë shkak dhe jo vetëm ka ndodhur edhe emërimi i Rexhep Hotit si zëvendësministër, me qëllim që të kontrollojë dhe të monitorojë veprimet e ministrit Shala. Pyetja shtrohet përse duhet një angazhim i tillë politik për të ndaluar ministrin Shala që të bëjë reformat në institucionet e kulturës? Në sektorë të ndryshëm të kulturës thuhet se Hoti u shpërblye me postin e zëvendësministrit për t’i kompensuar argatllëkun, por edhe për t’i mbyllur gojën që të mos nxjerrë në shesh të palarat e shefit të partisë. Ndërkaq, nën zë po flitet se ministri Shala po largon njerëzit  e ashtuquajtur të SHIK –ut. Emërimi i Rexhep Hotit, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes tonë telefonike,  edhe nga pjesa e më e madhe e opinionit po shihet si një pengese për punën e ministrit Shala. “Ministri Kujtim Shala është ndër të rrallët që është njeri i duhur në vendin e duhur, dhe kur një gjë e tillë ndodh në Kosovë atëherë i nxirren 1 milion pengesa vetëm e vetëm për të dështuar. Sa i përket zëvendësministrave, ky është një funksion kot që duhet ndaluar me Kushtetutë, sepse jo vetëm që ngarkon kot buxhetin e Kosovës, por edhe shkakton telashe politike e organizative. Në rastin më të mirë, nëse zëvendësministri është njeri me prirje pozitive, ai nuk mund të bëjë asgjë pozitive ngaqë ministri nuk i jep hapësirë, sepse atë gjë pozitive do që ta bëjë vetë ministri. Në rastin më të keq, zëvendësministri është për ta penguar ministrin, duke shërbyer si një lloj komisari politik (kontrolli politiko-ideologjik)  i emëruar nga lideri apo partneri i koalicionit”, është  shprehur analisti politik, Nexhmedin Spahiu.

Kush është Rexhep Hoti ?

Në qeverinë  drejtuar më herët nga Bajram Rexhepi, Hoti ka kryer punën e këshilltarit politik , mirëpo ministri Rexhepi e pati shkarkuar nga detyra, si u tha në atë kohë, për standardet.  Shkarkimi i Hotit erdhi pas një letre të ish-zëvendësadministratorit të Kosovës, Çarls Brajshou, dërguar kryeministrit Bajram Rexhepi. "Me prononcimet e tij të fundit publike, Hoti ka rrezikuar procesin e implementimit të standardeve të caktuara për Kosovën", thuhej në letrën e zëvendësadministratorit Brajshou. Ky nuk rezulton të jetë dështimi i vetëm i Hotit, pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare, Rexhep Hoti përveçse u fut në listë nëpërmjet shtanazhimeve nuk arriti do të kalonte as pragun. Burime nga brenda kryesisë së PDK –së tregojnë  se Rexhep Hoti, me mikun e tij Baton Haxhiun ka arritur të shantazhojë kreun e PDK –së, Hashim Thaçi, që ta fusë në listën të kandidatëve për deputetëve. Fillimisht sipas të njëjtave burime ai u rendit i 12 –ti në listën e kandidatëve, por referuar listës përfundimtare zyrtare u pa se Hoti kishte përfunduar tek numri 23. Por, pavarësisht kësaj, ai nuk arriti të merrte besimin e  qytetarëve dhe  përfundoi vetëm me 3,452 vota. Se Hoti ka pasur përplasje me njerëzit brenda llojit të tij dhe dyshimet se ai mund të ketë marrë edhe postin e zëvendësministrit nëpërmjet shantazheve, e vërteton dhe një shkrim i vitit 2007  i gazetarit Milaim Zeka.  “Kam folur me njerëz të Kryesisë së PDK-së, duke filluar që nga Jakup Krasniqi, Hajredin Kuçi, Fatmir Limaj, Bajram Rexhepi, e shumë të tjerë, dhe që të gjithë më kanë dhënë këtë përgjigje: Mos u merr me atë psikopat, të pabesë, qen e faqezi. “Shiheni pasurinë e Rexhep Hotit, që është bërë që nga ardhja e tij afër kryeministrit (Bajram Rexhepi). Shiheni se çfarë vlere kanë xhipat dhe makinat e tij, dhe do të bindeni se sa të drejtë ka ky i panjeri të shajë e të etiketojë çdo njeri që ia di emrin”, shkruan Zeka.

Sulmet e Hotit nëpërmjet mediave të nëntokës

Pas dështimeve në fushën politike, në vitin 2006, Rexhep Hoti, hapi gazetën “Infopress”,(në fillim pa emër botuesi) të cilën e përdori për shpifje apo edhe shantazhe, në këtë konstatim arrihet pasi Hoti ka përfunduar në gjykatë për shkak të fushatës  së shpifje, etiketimeve dhe akuzave të paargumentuara. Edhe për këtë çështje gazetari Milaim Zeka, në vitin 2007 kishte reaguar publikisht duke iu drejtuar Hasim Thaçit. “Kam dashur disa herë të shkruaj dhe të reagoj ndaj sharjeve, etiketimeve dhe njollosjeve që po u bën një fletushkë me emrin ‘Infopress’, të cilën e drejton qeni turraxhi, me emrin Rexhep Hoti. Dhe fatkeqësia më e madhe është se ky njeri flet në emrin e opozitës, madje më keq, në emrin tënd, o Hashim Thaçi. Ai më premtoi personalisht se nuk do të botonte shkrimin kundër meje dhe kur e botoi atë, më tha: Hashimi më dha urdhër me fjalët – futja edhe Zekës nga pak’, shkruan Zeka, duke të lënë të kuptosh dhe të dyshosh se vetëm për një gazetë informuese nuk bëhej fjalë, por për qëllime kriminale apo pastrim të parave. Në fakt, sipas hulumtimeve të gazetarëve të gazetës “Kosova Sot”, në vitin 2007, duket qartë se kemi të bëjmë me një akt të paligjshëm, siç është shpëlarja e parave, pasi humbjet e “Infopress-it”, ishin shumë herë më të mëdha se sa fitimi. “Është e çuditshme që tani pothuajse 6 muaj nga botimi i saj, ende nuk figuron emri i botuesit, i themeluesit të kësaj gazete. Kjo gazetë vetëm për shtypjen e saj, paga dhe shpenzimeve të tjera harxhon rreth 800.000 euro në muaj kurse nga shitja e gazetës dhe marketing nuk përfiton as rreth 15.000 euro në muaj. Në bazë të kësaj llogarie del se humbja mujore, arrin në shumën prej 65 mijë euro. Vetëm për 6 muajt e parë të nxjerrjes në treg del se ‘Infopress’ –i ka një humbje financiare prej afro 400.000 euro, që në nivel vjetor mund të arrijë diku rreth 800.000 euro në vit”, thuhet në hulumtimin e gazetës “Kosova Sot”,të botuar më 01.02.2007.

Emërimet, pa asnjë kriter

Analisti Blerim Burjani, duke iu referuar rastit Hoti dhe jo vetëm, kritikon emërimin e zëvendësministrave, për çështje nderesh dhe jo kriteresh. “Partnerët e koalicionit janë marrë vesh  që në mënyrë graduale të emërojnë njerëz joprofesionalë nëpër dikastere apo ministri, përveç ministrave të dobët joprofesionalë, ky koalicion gjithashtu ka  filluar të "njëjtën këngë"  me emërime të njerëzve në pozita  të zv/ministrave pa kurrfarë kriteresh, madje minimale. Ky është  bastardim i nocionit politik ,shkencor apo artistik. Emërime për të zgjidhur probleme sociale dhe për të marrë paga nga taksa paguesit është emërtimi real i kësaj gjendje që ka katandisur qeverisjen e shtetit. Ministra përkthyes, ministra lojalë, ministra të dështuar fillimisht në jetën private akademike , kjo edhe më keq bën me dije, se nuk ka kurrfarë ndryshimi të diskursit të dëmshëm për qytetarin.  Qeveria e Kosovës pritet të ketë brenda këtyre  ditëve apo muajve 21 zëvendësiministra që do të marrin hiç më pak, e ndoshta përveç pagave gati 25 % të buxhetit të vendit së bashku me deputetët , bordet e shumta partiake.  Vetëm paga për zëvendësministra priten të shpenzohen mbi gjysmë milioni euro,  pa privilegje  të tjera. Cili është kthimi i këtij investimi absurd, çka do të përftojnë qytetarët prej këtyre shpenzimeve të panevojshme?Asgjë, vendnumërim të problemeve të tyre dhe vazhdimin e ikjes prej shtetit.  E vërteta është se këta s’po duan të kuptojnë e as që janë të interesuar të marrin vesh për asgjë. Zvarritja është strategji e katundit, ngadalë, për të mos pasur zhurmë në opinionin publik , që këta zëvendësministra që do të emërohen do të shpenzojnë parat e taksapaguesve, hiç më pak se gjysmë milion euro vetëm paga, pa ia shtuar mëditjet dhe tarahitjet e vazhdueshme në emër të lobimit për njohje të shtetit. Kjo klasë politike, politikën e kupton si zgjidhje për probleme familjare, klanore, partiake, por aspak për zgjidhje të problemeve shoqërore  dhe ekonomik”, është shprehur Burjani.

SHKARKO APP