ShBA nuk po e ndihmon çështjen e Kosovës, pikëpyetje rreth kufirit me Serbinë

Kosovo and U.S. flags decorate the main square in Pristina, Kosovo, on Feb. 17, on the 10th anniversary of the country's independence from Serbia.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madlin Olbrajt, mendon se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar si dikur në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj është në pikëpyetje çështja e shkëmbimit të territoreve mes palëve.

Shtetet e Bashkuara kryen një ndërhyrje vendimtare në fundivtet 90 kundër Serbisë, duke i dhënë fund gjenocidit dhe konfliktit të armatosur në Kosovë, e duke sjellë pavarësimin e saj një dekadë më vonë.

Por për një nga kontributoret kyç të kohës, ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madlin Olbrajt, tani që mes palëve rrezikohet shkëmbimi i territoreve në këmbim të njohjes reciproke, Uashingtoni duket më i pavendosur për t’i ardhur në ndihmë Prishtinës.

Deklaratën, ish-kryediplomatja Olbrajt e bëri në një bisedë virtuale me Komisionin për Punët e Jashtme në Dhomën amerikane të Përfaqësuesve.

“Fatkeqësisht është vënë në pikëpyetje çështja e kufijve dhe nëse Kosova ka qenë pjesë e Serbisë. Me keqardhje më duhet ta them se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me presidentin serb, Vuçiq, dhe atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë, e që ka pasur për rezultat spastrimin gjenocidal të dënuar ndërkombëtarisht,” u shpreh Olbrajt.

SHBA-ja por edhe Bashkimi Europian nuk e kanë përjashtuar idenë e shkëmbimit të territoreve mes Prishtinës dhe Beogradit, nëse kjo do të gjente mirëkuptimin e palëve dhe do i shtynte drejt dialogut.

Kryeministri aktual në detyrë, Albin Kurti, e ka konsideruar çështjen një pazar që synon ta realizojë prej tri vitesh kreu i shtetit, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij fqinj, Aleksandër Vuçiç.

Këto aludime janë refuzuar nga të dy kryeshtetarët, ndërsa edhe Uashingtoni këmbëngul se nuk është në dijeni të asnjë marrëveshjeje të tillë sekrete.

Sipas kryeqeveritarit Kurti, me negociatat e fshehta për copëtimin e territoreve, Kosova do të heqë dorë nga komunat në veri të lumit Ibër, duke marrë disa fshatra në Luginën e Preshevës, por jo komunat me shumicë etnike shqiptare, si Bujanocin dhe Medvegjën.

SHKARKO APP