SHBA vihet në lëvizje, Kosnett: Inkurajova Haradinajn dhe Hoxhajn të veprojnë me konstruktivitet
Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett zhvilloi takime të ndara me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj për t’i inkurajuar që të veprojnë me konstruktivitet në rolin e opozitës.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kosnett thotë se u ka kërkuar kryetarëve të dy partive që të punojnë së bashku me qeverinë në synimet e përbashkëta dhe të vendosin nevojat e qytetarëve mbi qëndrimet politike.
Më herët gjatë ditës, Hoxhaj deklaroi se qëndrimi i partisë së tij, në raport me votimin e Vjosa Osmanit për postin e presidentit, është i qartë.
“Nuk e mbështesim kandidaturën e saj” u shprej ai duke e konsideruar Osmanin figurë “përçarëse”.
“Ju e dini që, a qëndron apo nuk qëndron në sallë, nuk ka kurrfarë vlere. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim, dhe qëndrimi jonë është që kandidatura e zonjës Osmani është e papranueshme, nuk e reflekton vullnetin, më së paku të elektoratit të PDK-së, por nuk e reflekton edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës, meqë ka qenë një figurë më shumë polarizuese, përçarëse, në raport me qytetarët e Kosovës, por edhe në raport me ish-subjektin e saj politik, të cilin subjekt e ka shndërruar në viktimë në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.
Pak ditë më parë Haradinaj deklaroi se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.