Shefja e stafit të Presidentes Vjosa Osmani mbron dekretin për zgjedhje të reja
Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, e ka mbrojtur vendimin e presidentes për ta shpërndarë Kuvendin, duke thënë se “presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon”.
“Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë”, shkroi Hollaj në Facebook.
Ajo gjithashtu iu përgjigj kritikëve të Osmanit, duke thënë se “ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji”.
Reagimi i saj vjen pasi më herët gjatë ditës, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, e kritikoi Osmanin për dekretin, duke thënë se “zelli për pushtet e çoi në gabim”.
Më vonë, vetë kryeministri Kurti tha se dekreti është “jokushtetues” dhe tregoi se partia e tij në pushtet është ankuar ndaj tij në Gjykatën Kushtetuese.
Hollaj tha se Osmani e ka mirëpritur dërgimin e këtij dekreti në gjykatën dhe se ajo do ta “respektojë çfarëdo vendimi”.
KOHA JONË SONDAZH

