Shefja e zyrës së BE: Shfuqizimi i Speciales ndikon në integrimin e Kosovës

Në Kosovë, përfaqësuesja e posaçme e Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova, tha sot se shfuqizimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme do të kishte ndikim në rrugën evropiane të Kosovës dhe do të përçonte mesazhin e mungesës së besueshmërisë së Kosovës si partner serioz ndërkombëtar. Komentet e saj pasuan vendimin e një dite më parë të kryesisë së parlamentit të Kosovës që nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, ta dërgojë në qeverinë e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se ende nuk e ka marrë kërkesën zyrtare nga kryesia e parlamentit për të dhënë mendimin e qevrisë që duhet të ndodhë brenda 30 ditësh, por nuk ka force deyruese.

Zonja Apostolova tha se Kosova duhet të përmbushë detyrimet ndërkombëtare.

“Shfuqizimi i ligjit në fakt jep një shenjë të jo besueshmërisë së Kosovë si partner ndaj një detyrimi ndërkombëtar dhe pa dyshim prek shumë sundimin e ligjit. Siç e dini sundimi i ligjit është një çështje ku Bashkimi Evropian është shumë i përfshirë dhe ne do të donim të shohim përparim të mëtutjeshëm”, tha zonja Apostolova.

Kosova ditëve të fundit po përballet me kritika të ashpra nga faktorët ndërkombëtarë pas nismës për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Diplomatët amerikanë dhe evropianë po paralajmërojnë udhëheqësit dhe deputetët për pasoja të rënda nëse nisma do të kalonte.

Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën.

Kryesia e parlamentit dështoi në dy përpjekje për të caktuar seancën e parlamentit për të diskutuar nismën e nënshkruar një muaj më parë nga 43 deputetë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara, do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës. /VOA/

SHKARKO APP