Shembet rruga “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, disa zona mbesin pa energji elektrike dhe ujë
Rruga “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet është shembur si pasojë e një rrëshqitjeje të dheut të dielën.
Si pasojë, janë shkaktuar ndërprerje të menjëhershme të qarkullimit në këtë segment.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook nga faqja e komunës, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Inspekcionit, KEDS-it, Ujësjellësit dhe Policisë, të cilat kanë ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e zonës dhe shmangien e rrezikut për qytetarët.
Zona është rrethuar dhe rruga mbetet e pakalueshme për automjete dhe këmbësorë, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren.
“Rruga është e bllokuar për qarkullim. Lusim qytetarët që të shmangin këtë segment dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren”, thuhet në njoftim.
Për këtë rast, kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se furnizimi me ujë është ndërprerë në rrugët “Mehmet Shpendi”, “Bislim Islami”, “Don Stjefan Kurti”, rrugën “Kiri”, “Agim Prodani”, “Ymer Bytyqi” dhe “Visar Thaqi”.
Operatori i Sistemit të Tranmisionit dhe Tregut (KOSTT), ka njoftuar se si pasojë e shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë dhe dëmtimeve të shkaktuara, një pjesë e konsumatorëve kanë mbetur pa energji elektrike.
KOSTT ka bërë të ditur se në koordinim me KEDS-in janë në terren dhe po tentojnë ta sanojnë dëmin.
“KOSTT njofton qytetarët se, si pasojë e shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë dhe dëmtimeve të shkaktuara në infrastrukturë, është prekur edhe rrjeti transmetues në nivelin 110 kV. Si rezultat i kësaj situate, një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga NS Prishtina 6 kanë mbetur pa energji elektrike. Ekipet e KOSTT-it, në koordinim me KEDS, janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike. KOSTT kërkon mirëkuptim nga qytetarët e afektuar”, ka njoftuar KOSTT.
KOHA JONË SONDAZH

