Shkarkimi i 4 konsujve, Ministria e Punëve të Jashtme: S’kemi pranuar asnjë dokument nga Vjosa Osmani
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaroi se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Bëhet fjalë për shfuqizimin e katër dekreteve, që të kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar muaj më parë. Në një përgjigje për Express, MPJD ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar nga Presidenca lidhur me këtë vendim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar ende zyrtarisht nga Presidenca asnjë dekret në lidhje me atë që është raportuar në media – shfuqizimin e dekreteve për katër konsujt të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
MPJD ka thënë se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, pa i pranuar zyrtarisht dekretet për të cilat po pyesni. Deri tash, siç e potencuam më lartë, MPJD nuk ka pranuar asgjë nga Presidenca në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigje. Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.
Në njoftimin e lëshuar, Presidenca ka vlerësuar se sa i përket tri rasteve të para, konsullatat e përgjithshme nuk mund të hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk mund të emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada.
“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në komunikatë. Vendimi i Osmanit ka ardhur pasi Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë. Përveç Shalës, me vendim të Osamnit janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë.