Shkarkimi i ambasadorëve politikë, Albin Kurti: Hap drejt kthimit të ligjshmërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sot në lidhje me shkarkimin e ambasadorëve të emëruar politikisht në detyrat e tyre.

Kurti në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ shkruan se ky është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster, ndërsa tha se së shpejti do t’i fillojnë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam pajtuar me propozimin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, për lirimin e ambasadorëve të caktuar me çelës politik.

Ky propozim i Zëvendëskryeministres Gërvalla, i dekretuar nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani, është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës. Këtë reformë ne e kemi nisur edhe gjatë Qeverisë sonë të parë të pranverës 2020, dhe e kemi paralajmëruar në zotimet tona elektorale dhe programin tonë qeverisës.

Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster.
Në koordinim me Zëvendëskryeministren Gërvalla, Presidenten Osmani dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pa humbur kohë do t’i fillojmë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet tona diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.
Ligjshmëria, reformat strukturore dhe vendosja e mekanizmave të profesionalizmit dhe meritokracisë janë shtyllat mbi të cilat qeverisja jonë do ta ndërtojë përfaqësimin dinjitoz të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare”, shkruan ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka miratuar më 19 maj propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të ambasadorëve të emëruar politikë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se bëhet fjalë për largimin e 13 ambasadorëve. Ata janë Beqë Cufaj- Gjermani, Nait Hasani – Shqipëri, Arbër Vllahiu – Çeki, Lirim Grejqevci – Holandë, Shpend Kallaba – Hungari, Gezim Kasapolli – Kroaci, Avni Kastrati – Slloveni, Gjergj Dedaj – Maqedoni e Veriut, Hajdin Abazi – Australi, Ylber Hysa – Mal i Zi, Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti – Katar dhe ambasadori në Francë, Qëndrim Gashi.

SHKARKO APP