Shkon në 9 numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë, humb jetën 69-vjeçari nga Suhareka

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se në mjekimin intensiv të Klinikës Infektive, mbrëmë pas mesnatës ka ndërruar jetë pacienti 69 vjeçar nga komuna e Suharekës, i cili ishte pranuar më 10/04/2020 në gjendje të rëndë dhe kishte edhe probleme kardiake.

Sipas raportit 24 orësh, në Klinikën Infektive po trajtohen 53 raste pozitiv me COVID-19, kurse janë shëruar 3 pacientë.

Gjendja e pacientëve të sëmurë me COVID-19 është si vijon: 39 raste janë në gjendje stabile, 12 raste janë në trajtim me oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive, shkruajnë mediat e Kosovës.

Në mjekimin intensiv të klinikës janë 3 pacientë në gjendje kritike, prej të cilëve njeri është në oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive si dhe dy pacientë janë në ventilim mekanik.

Numri i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 387, i të shëruarve 69, ndërsa deri tani janë shënuar 9 viktima.

SHKARKO APP