Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë
Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përmes nënshkrimit të dy marrëveshjeve sot në Tiranë.
Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të vizitës në Tiranë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla theksoi se nënshkrimi i dy marrëveshjeve të bashkëpunimit nëpërmjet ministrive përfaqëson një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.
Ministri siguroi po ashtu për vullnetin e përbashkët për ta kthyer këtë bashkëpunim në iniciativa konkrete dhe rezultate të prekshme për qytetarët.
“Këto marrëveshje vijnë në vijim të takimit të zhvilluar në prill në Prishtinë dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm në konkretizimin e angazhimeve të marra nga të dyja palët. Marrëveshjet materializojnë bashkëpunimin tonë në dy drejtime strategjike. Së pari në zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit në bujqësi. Së dyti, në hartimin e një qasje të përbashkët për marketingun, promovimin, lehtësimin e tregtimit të produkteve agroushqimore”, shtoi Salla.
Bujqësia, sipas ministrit Salla, mbetet një sektor me rëndësi strategjik për dy vendet tona, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies së komuniteteve rurale, krijimin e vendeve të punës dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
Për këtë arsye, Salla theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të fermerëve dhe sipërmarrësve të agroushqimorë.
“Marrëveshja për marketingun dhe promovimin e produkteve agroushqimore synon rritjen e konkurueshmërisë së produkteve tona, si dhe forcimin e pranisë së tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare”, shtoi ministri Salla.
KOHA JONË SONDAZH

