Shqipëria me pika të përbashkëta kontrolli me Greqinë e Kosovën
Kryeministri Edi Rama duke foluar për lëvizjen e lirë të turistëve në pikat hyrëse të Shqipërisë me vendet fqinje, deklaroi sot se do vendosen pika kontrolli të përbashkëta me Greqinë dhe Kosovën për lëvizjen e lirë të turistëve.
Duke folur për impaktin e kontaktit të parë me vendin nga ana e turistëve të huaj, kryeministri Rama tha se njerëzit vijnë në 9 pika hyrëse dhe vajza dhe djem “Smile Albania,” që i presin përbëjnë një ndryshim të madh, atë midis fytyrës që buzëqesh dhe portretit të një roje dje me barkun e stërmadh që të sheh me inat, pse ke ardhur në Shqipëri!.
“Është ndryshim i madh edhe në porte dhe në aeroporte pasi ka fluks të shtuar të turistëve” tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se “duhet të vendosim pika kontrolli të përbashkëta me Greqinë dhe Kosovën për të lehtësuar hyrjet dhe daljet dhe këto besoj se do jenë vlerë e shtuar e sezonit të ardhshëm”.
“Edhe pse jemi në fund të shtatorit, ne do të fillojmë punën për sezonin tjetër dhe do përgatisim planin për sezonin tjetër”, tha kryeministri.