Shqiptarët e Luginës i kërkojnë Kurtit t’i bëj pjesë të dialogut me Serbinë
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi, ka komentuar takimin mes kryeministrit tw Kosovws, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Njëra ndër propozimet që Kurti bëri në takim me Vuçiçit është që pas njohjes së ndërsjellët serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Mustafi në Info Magazine deklaroi se forca e Këshillit Kombëtar Shqiptar është shumë e dobët dhe vazhdimisht janë të diskriminuar.
“Në Serbi janë 24 këshille kombëtare të pakicave si pjesë e konventës për të drejtat e pakicave në kuadër të kornizës ligjore është siguruar që kenë fuqi në fushat si arsim, kultura, informimi dhe përdorimin e gjuhës dhe shkrimit të pakicave dhe simboleve kombëtare”.
“Me kalimin e kohës dhe ndryshimet që ka bërë Gjykata Kushtetuese dhe më pas me aprovimin në vitin 2018 fuqitë ekzekutive të Këshillit janë ulur”, thotë Mustafi.
Mustafi mes tjerash thotë se serbët në Kosovë kanë të drejta mbi çdo standard dhe e njëjta nuk ndodh me shqiptarët në Serbi që vazhdimisht janë diskriminuar.
“Çështja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe të serbëve në Kosovë është një shpërfaqje jo asimetrike. Megjithatë, dua të besoj që kryeministrin në takim ka bërë elaborimin e tij. Por, sot niveli i të drejtave që kanë serbët në kuadër të Republikës së Kosovës – të drejtat e garantuara kushtetuese janë mbi ato standardet e të drejtave të pakicave dhe posaçërisht janë pothuajse edhe mbi ato evropiane”.
“Nuk kanë të krahasuar mundësitë dhe hapësira për më shumë drejtësi e barazi që iu lejohet serbëve në Kosovë në raport me shqiptarët në Serbi”.
“Ne sot e kësaj dite e kemi të ndaluar me ligj përdorimin e flamurit dhe në shkolla të mesme nuk kemi asnjë libër në gjuhë shqipe dhe kemi mungesë financime në televizioneve shqiptare – vazhdimisht jemi diskriminuar”, tha Mustafi.
Mes tjerash Mustafi theksoi se pa përfshirjen e Luginës së Preshevës nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Do të shohim si do të ec dialogu dhe ne gjithmonë kemi kërkuar që të jemi pjesë e dialogut pasi në vazhdimësi kemi kërkuar që të avancohet vendi i shqiptarëve në Serbi. E konsiderojmë që kjo është mundësia e fundit për rregullimin e statusit të shqiptarëve të Luginës së Kosovës”.