Shteti “gjunjëzohet” para uzurpatorëve të lidhur me politikën!
Ju mund të bleni një ndërmarrje në shtetin më të ri të Europës, por kjo nuk do të thotë se gjithmonë mund ta keni atë në pronësi, pasi që shumë prej tyre shfrytëzohen ilegalisht nga ‘të fortit’ e Kosovës.
Nga Lavdim Hamidi, BIRN
Naser Januzi ndihet shumë i zhgënjyer çdo herë kur e shikon nga dritarja e zyrës së tij në Prishtinë, lokalin përball rrugës që është pronë e tij, por që nuk mund të hyj brenda.
Dy vjet më parë ai e bleu këtë lokal nëpërmjet procesit të privatizimit në Kosovë, por nuk po arrin të marrë nën shfrytëzim, pasi i njejti vazhdon të mbahet i uzurpuar nga një zyrtar shtetëror i Kosovës.
Januzi kishte ofruar çmimin më të lartë dhe u shpall zyrtarisht pronar i ri i lokalit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), institucion ky përgjegjës për administrimin, privatizimin, likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës. Kontrata është nënshkruar dhe ai ka paguar për lokalin 182.560 euro.
Tani, ai shikon i zemëruar sesi blerësit futen në lokalin e tij në qendër të qytetit, në minimarketin “Egzoni”, dhe dalin të ngarkuar me çanta e gjëra ushqimore.
Lokali gjindet vetëm 10 metra larg nga zyra ku ai drejton një kompani lokale për transportin e udhëtarëve, por për më shumë se dy vjet ai nuk ka qasje në atë lokal, i cili është duke sjellë përfitime financiare për Fahredin Majkovcin, një zyrtar i lartë në institucionet shëndetësore të Kosovës dhe udhëheqës i degës së Prishtinës në Partinë e Drejtësisë, subjekt ky politik që është pjesë e koalicionit qeverisës dhe që udhëhiqet nga ministri i Mjedisit, Ferid Agani.
‘Që dy vjet po kërkoj të më njihet e drejta ligjore e pronës, të cilin e kam të regjistruar në emrin tim në Kadastrin e Prishtinës, por deri më tani kam dështuar ta marr lokalin nën menaxhimin tim, pasi që të njëjtin e kanë uzurpuar personat e fuqishëm politik në Kosovë”, thotë Junuzi.
Januzi është një nga shumë biznesmenët që hasin probleme me pronat që kanë blerë nga shteti më ri i Evropës, i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Shumë uzurpatorë të bizneseve fitimprurëse kanë refuzuar thjesht për t’i lirojnë lokalet që janë duke i shfrytëzuar në mënyrë joligjore dhe njëkohësisht nuk kanë paguar qira ndaj Agjencisë së Privatizimit e as tani për pronarët e ri.
Edhe Gjykatat e mbingarkuara me lëndë duket se nuk po ofrojnë shumë ndihmë për zgjidhjen e rasteve të tilla.
Një burim brenda menaxhmentit të AKP-së tha për Rrjetin e Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), se nga 1,303 kontratat e nënshkruara që prej kur filloi privatizimi në vitin 2002, 100 ndërmarrje kanë probleme me uzurpatorë, apo rreth tetë për qind e tyre.
Zyrtarisht Agjencia ofron vetëm shifra që nga periudha kur kreu i saj i tanishëm e mori detyrën një vit më parë, duke thënë se kanë marrë 10 kërkesa nga pronarët e rinj për t’i liruar pronat e tyre.
Agjencia nuk do të veprojë derisa Parlamenti të miratojë një bord të ri të AKP-së.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, e cila përfaqëson shumicën e bizneseve në vend, thotë se problemet e tilla rrezikojnë të frikësojnë ata pak investitorë të huaj që planifikojnë të investojnë në një nga vendet më të vogla dhe më të varfra të Evropës.
“Privatizimi është goditur rëndë nga mungesa e sundimit të ligjit dhe si pasojë shumë biznese të huaja nuk janë të gatshme për të investuar këtu”, thotë ai.
Ka probleme më të mëdha për t’u përballur
Andrea Capussela, një italian që ishte pjesë e Bordit të AKP-së nga viti 2008 deri në vitin 2011, thotë se uzurpimi i pronave shoqërore nuk është parë si një çështje qendrore në atë kohë, kur Kosova u ndeshej me kërkesat e mëdha të forcimit të një shteti të pavarur.
“Prioritetet në atë kohë ishin të privatizohen kompanitë e mbetura dhe të shpërndahen të ardhurat nga privatizimi”, thotë ai, por pranon se pengesat e tilla për privatizim të suksesshëm treguan dobësi në përgjegjësitë ligjore dhe politike”. Ai thotë se korrupsioni e ka pushtuar procesin e privatizimit.
“Kam frikë se çmimet e shitjes shpesh janë shtrembëruar përmes marrëveshjeve të fshehta ndërmjet ofertuesve, apo korrupsionit të drejtpërdrejtë. Unë, dhe të tjerët, u përpoqëm për t’i ndaluar shitjet e dyshimta, në disa raste, por kam frikë se ne nuk mundëm të zbulonim shumë raste të tjera për shkak të mungesës së informacionit”.
Privatizimi ka filluar në vitin 2002 nga Misioni i OKB-së në Kosovë, si administrues i territorit pas konfliktit të armatosur me Beogradin në vitin 1998-1999, deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Pastaj AKP-ja e mori përsipër procesin e privatizimit.
Uzurpimi i bizneseve ndoshta nuk është problemi më i madh i Kosovës, por për ata që janë të përfshirë, kjo mund të jetë shkatërruese.
Në një rast të hetuar nga BIRN, një kompani zvicerane është mbërthyer në një betejë ligjore me bashkëpunëtorin e ish-komandantit të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila zhvilloi luftën kundër forcave serbe, që rezultoi me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Në një rast tjetër, një biznesmene britaniko-kosovare po përballet me një rast të ngjashëm ku uzurpuesi i lokalit të saj refuzon të bisedojë dhe gjykatat duken të pafuqishme për të ndërhyrë.
Shumica e kosovarëve mendojnë se privatizimi, tani në fazën finale, ka qenë një proces i dështuar.
Ata kishin shpresuar se ky proces do të ringjallte funksionimin e fabrikave të mëdha që kishin ndaluar prodhimin në vitet e trazirave, pasi ish-Jugosllavia u shpërbë. Mirëpo, kjo ka ndodhur tepër rrallë, kryesisht për shkak të mungesës së investimeve.
Privatizimet e pafrytshme përfshijnë një kompani minerare që në mënyrë industriale përdor mineralin e magnezit, atë për prodhimin e tubave nga çeliku dhe prodhuesin e njohur të duhanit në qytetin lindor të Gjilanit. Disa fabrika të famshme tani shërbejnë vetëm si magazina të mëdha komerciale.
Një në tre kosovarë të aftë për punë është i papunë, kurse vetëm pak vende pune janë duke u hapur për numrin e madh të të rinjve që hyjnë në tregun e punës çdo vit. Importet kapin vlerën tetë herë më shumë sesa eksportet, kurse perspektivat ekonomike nuk duken të mira për 1.8 milionë banorët e vendit të stagnuar nga korrupsioni.
Vonesat gjyqësore
Për Januzin, privatizimi ka qenë një dështim personal i hidhur dhe i kushtueshëm.
Ndërsa zyrtarët thonë se ai është pronar legjitim i dyqanit, por njeriu që zhvillon biznes në të argumenton se për shkak të shfrytëzimit për një periudhë të gjatë të këtij lokali nga ana e tij, thotë se realisht lokali i takon atij.
“Unë jam duke e shfrytëzuar këtë lokal për 15 vjet, kurse më përpara babai im ka punuar për ndërmarrjen shoqërore që e zotëronte lokalin në fjalë. Unë kam dërguar tërë dokumentacionin në gjykatë dhe po presim vendimin e saj”, thotë Majkovci.
Ai është kryetar i degës së Prishtinës në Partinë e Drejtësisë(PD), e cila rinovoi marrëveshjen e saj në koalicionin qeverisës, pas një fushate elektorale të vitit 2014 nën moton, “Ndershëm me punë”.
Majkovci gjithashtu është sekretar i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës(SHSKUK).
Januzi e ka paditur atë, por gjykatat e Kosovës duket se po stagnojnë në kohë për shkak të rasteve të grumbulluara. Kontestet pronësore mund të marrin vite.
Ai thotë se uzurpatorët e përdorin këtë gjendje në avantazhin e tyre, e cila është arsyeja pse ai bëri një kërkesë të veçantë që gjykata të ndalojë ushtrimin e veprimtarisë afariste në lokalin e sipërpërmendur, deri në pritje të një vendimi të formës së prerë mbi pronësinë.
Majkovci thekson se Gjykata Themelore në Prishtinë hodhi poshtë këtë kërkesë. Por në prill, Gjykata e Apelit, e ka pranuar ankesën e Junuzit dhe ka vendosur ta kthej lëndën në rivendosje në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Januzi thotë se gjykatat janë të korruptuara dhe me qëllim bëjnë zvarritjen e lëndëve, si rasti i të tij në favor të uzurpatorëve me lidhje të fuqishme.
Beteja për klubin e natës “Bab”
Një tjetër biznesmen që përballet me uzurpim thotë se në rastin e tij, uzurpatori ka lidhje të forta me ish-eprorët e UÇK-së.
Zoeb GmbH, një kompani që ofron shërbimet e sigurimit, e regjistruar në Zurich të Zvicrës, në pronësi të kosovarit, Xhevat Sadrijaj, pagoi 144,000 € në vitin 2011 për lokalin në afërsi të hotelit Grand, një hotel historik i Kosovës i ndërtuar në vitin 1970 për të pritur udhëheqësit socialistë të Jugosllavisë.
Por lokali nr. 3 i ndërmarrjes shoqërore “Rilindja” është ende duke u drejtuar si klub nate me emrin “Bab” nga Rrustem Rukolli, biznesmen nga Skenderaj, një qytet 50 kilometra në veriperëndim të Kosovës.
Rukolli gjithashtu koordinon ekipin ligjor të mbrojtjes për Sami Lushtakun, ish-komandant i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë të shpërbërë, e cila për shumicën e njerëzve lokalë përbën një forcë heroike që ndihmoi ata të lirohen nga kthetrat e liderit serb, Sllobodan Millosheviq.
Lushtaku, kryetar i degës Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), vazhdon ta ushtroj postin e kryetarit të Skenderajt, ndonëse në maj 2015 është shpallur fajtor nga Gjykata për vrasjen e një civili shqiptar më 1998, me ç’rast është dënuar me 12 vite burgim. Ai ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për këtë denim.
Sadrijaj thotë se autoritetet lokale janë të pafuqishme kundër ish-komandantëve të UÇK-të cilët shpesh janë aktiv kohët e fundit në partitë kryesore politike të vendit.
Sipas Sadrijaj, Rukolli ka bërë me dije se është i paprekshëm për shkak të lidhjeve të tij të forta.
“Rrustem Rukolli më ka thënë: Zoti është lartë, unë poshtë. Në këtë mënyrë më ka bërë me dije se do të vazhdoj ta mbajë të uzurpuar lokalin tim”, tregon Sadriaj.
Rukolli mohon të ketë thënë ndonjë gjë të tillë dhe akuzon Sadrijajn se është duke u përpjekur për të bërë “spektakël”.
Ai thotë se mosmarrëveshja është komplekse. Ai ka shpenzuar rreth një milion euro në dy lokale dhe thotë se aty ka vend vetëm për një pronarë.
“Unë i kam ofruar që t’ia blej lokalin Sadriajt, ose t’ia shes lokalet e mia, pasi që aty s’ka mundësi të shfrytëzohen nga dy pronarë, mirëpo ai nuk ka pranuar”, thotë Rukolli.
Të dyja palët janë në pritje të vendimit të gjykatës, padi kjo e iniciuar nga Sadrijaj.
Haxhi Arifi, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili për dy mandate ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, ia hedhë fajin menaxhmentit të Agjencisë për mos lirim të ndërmarrjeve të privatizuara nga uzurpatorët.
“Ata do të duhej të largojnë uzurpatorët nga kompanitë e privatizuara”, thotë ai.
Ai ka frikë se kjo mund të jetë një nga shumë faktorët që pengojnë investitorët e jashtëm.
Investimet e huaja direkte ka qenë në rënie në vitet e fundit, edhe pse ekspertët thonë se kjo më së shumti ka të bëjë me krizën globale financiare, ku si pasojë e saj, kosovarët që jetojnë jashtë vendit kanë pasur më pak para për të dërguar në vendin e tyre për investime.
Rregullat e reja, tepër vonë?
Agjencia e Privatizimit thotë se tani kanë ndërmarrë masa për të parandaluar raste të ngjashme të uzurpimit të paligjshëm në të ardhmen, edhe pse tanimë shumica e pronave shtetërore janë shitur, kurse kritikët thonë se dëmi tashmë është bërë.
Avni Jashari shumë shpejt e aprovoi një vendim ku thuhet se të gjitha ndërmarrjet shoqërore duhet të jenë të lira nga uzurpatorët para se të privatizohen, kur u zgjodh ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit menaxhues dhe përgjegjës për procesin e likuidimit të ndërmarrjeve në AKP, në nëntor 2014.
“Agjencia e Privatizimit do të zhbllokojë pronat e zaptuara me ndihmën e Policisë dhe më pas ato do të privatizohen”, thuhet në vendimin e tij.
Ai i tha BIRN-it se në të gjitha rastet, blerësit legjitim janë ata që nënshkruan kontrata me institucionin e tij dhe asnjë gjykatë nuk ka anuluar ndonjë kontratë të tillë.
“Pavarësisht ndonjë mosmarrëveshjeje, prona mbetet aset i blerësit dhe shitja nuk kontestohet”, thotë ai.
Përpara vendimit të ri, procedura e Agjencisë ishte që të njoftohen me shkrim uzurpatorët dhe t’i kërkohet të largohen, dhe nëse është e nevojshme, edhe me veprime ligjore”, thotë Jashari, duke e bërë të qartë se në bazë të kontratës së nënshkruar të privatizimit AKP nuk merr përgjegjësinë edhe për lirimin e uzurpatorëve nga lokalet.
“Vetëm i forti”
Kjo gjendje e inatos Selvie Zhushin, një biznesmene nga Prishtina me shtetësi të dyfishtë, kosovaro-britanike, e cila u takua me Jasharin për të kërkuar masa kundër uzurpatorit të lokalit të saj.
“Kjo është absurde. Nëse AKP-ja nuk merr përgjegjësi, të cilës ia kemi paguar paratë, atëherë kush do të duhej ta bënte një gjë të tillë?”, pyet ajo.
Në qershor të vitit 2013 ajo i pagoi agjencisë 402,000 € për një kafe-bar në një vend premtues, në njërin nga sheshet kryesore të kryeqytetit të Kosovës.
Ajo menjëherë e njoftoi uzurpatorin dhe ende është duke pritur dozimin e çelësave nga ai.
Brenda kafe-barit modern “PiazZa”, Sami Xheladini nuk dëshiron të flasë.
“Unë nuk jam në disponim për të dhënë koment për këtë çështje”, thotë ai dhe mbyll telefonin kur u pyet nëpërmjet telefonit se pse nuk e ka liruar lokalin.
Zhushi ka pak informacion për uzurpatorin, por thotë se ai mund të ketë lidhje të fuqishme.
“Vetëm një i fortë mund të zaptojë prej vitesh lokalet në qendër të Prishtinës. Në qoftë se do të ishte e kundërta, kjo çështje do të ishte zgjidhur shumë më herët nga policia, prokurori ose gjykata”,thotë ajo.
“Për dy vite kam trokitur në derën e çdo institucioni, por askush nuk më ka ndihmuar. Unë kam hasur vetëm dyer të mbyllura”.
Ajo madje u përpoq t’i drejtohet Ambasadës britanike.
“Vërtet, është e pakuptueshme se si shteti dorëzohet përball një uzurpatori. Për këtë arsye kam kërkuar nga AKP-ja që të më kthehen paratë e mia … por ata refuzuan”.
Një zëdhënës i policisë thotë se policia ka ngritur padi penale kundër Xheladinit në janar të vitit 2014.
Sikurse Januzi, edhe Zhushi ka bërë padi private dhe kanë kërkuar për një masë të përkohshme për mbylljen e bizneseve në këto lokale.
Kjo ishte në vitin 2013. Por për shkak të lëndëve të pazgjidhura të gjykatës, rasti i saj për dëbim dhe dëmshpërblim financiar nuk pritet të shqyrtohet deri në vitin 2018. Ajo nuk ka asnjë ide kur do të zbatohet vendimi gjyqësor për rastin e saj.
“Imagjinoni, unë kam statusin e një investitori të huaj dhe kam paguar gati një gjysmë milion dollarë për lokalin afarist, kurse gjykatat e Kosovës do të fillojnë të shqyrtojnë çështjen tonë pas pesë vjetësh”, thotë Zhushi. “Për shkak të këtyre problemeve, njerëz si unë kanë humbur besimin për të investuar në Kosovë”.
Zhushi më herët gjatë procesit të privatizimit në Kosovë ka blerë edhe një ndërmarrje tjetër, ku ka investuar mbi 1 milion euro, por nuk ka hasur në probleme të tilla, por thotë ajo, makthi “piazZa” ia ka humbur besimin për të investuar në ndërmarrje tjera.
“Nuk do të investoje asnjë cent të ri këtu, përpos investimeve ekzistuese që i kemi”, shprehet ajo.
Dhe në qoftë se ajo ndonjëherë merr në menaxhim Piazza-në, ajo thotë se do të shesë atë. “Nuk dua të hyjë në probleme me paratë e mia, pasi që këtu persona të ndryshëm e sfidojnë ligjin”.
Shkelzen Dakaj, gazetar i cili e ka mbuluar sektorin e ekonomisë për mbi një dekadë, thotë se kjo çështje thekson dështimin e prokurorisë dhe sistemeve gjyqësore që po përballen më shumë me korrupsionin sesa punën efektive.
Figura të larta të drejtësisë janë arrestuar në muajt e fundit nën dyshimin për korrupsion, shpërdorim të detyrës, apo lidhjet me krimin e organizuar.
Edhe EULEX-i, misioni i Bashkimit Evropian për të ndihmuar ndërtimin e sistemit ligjor dhe gjyqësor të vendit, ka qenë i përfshirë në akuza për korrupsion.
“Vetëm në Kosovë këta uzurpues të paligjshëm janë më të fuqishëm se shteti. Në fakt, në Kosovë, ata janë vetë shteti”, thotë Dakaj.
I ulur në zyrën e tij, Naser Januzi përdredh duart e tij, ndërsa flet për zhgënjimin e tij në procesin e privatizimit, duke e kthyer instinktivisht kokën për të parë nga dritarja dyqanin e tij të paarritshëm, ku ka investuar kaq shumë para.
Pas këtij rasti, sikurse Zhushi, nuk do të investojë në Kosovë përsëri, thotë ai.
“Edhe në qoftë se ata më shesin mua ndonjë ndërmarrje këtu për një euro, unë do të them jo. Pas problemeve me të cilat jam përballur, tani jam fokusuar në Gjermani, ku kam hapur tashmë një zyrë”.