Simbole serbe në Ambasadën e Kosovës në Paris
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dënon fuqishëm sulmin vandal ndaj simboleve të Ambasadës së Kosovës në Paris nga njerëz që janë kundër shtetit të Kosovës, pavarësisë dhe të arriturave të saj.
Sot para dite, stafi i Ambasadës e Kosovës në Paris e ka gjetur të dëmtuar pllakatën në hyrje të ndërtesës ku ndodhet Ambasada, e cila është vandalizuar me simbole nacionaliste serbe të kohës së Millosheviqit dhe ekstremistëve e nacionalistëve serbë. Ministria e dënon këtë akt barbar që është jashtë çfarëdo standardi dhe rregulli diplomatik dhe ka kërkuar nga autoritetet kompetente të sigurisë në Francë t’i gjej fajtorët të cilët duhet të marrin dënimin e merituar.
Ky nuk është rasti i vetëm që Ambasada e Kosovës në Paris ka qenë cak i vandalistëve të cilët propagandojnë dhe përpiqen të ndjellin frikë tek trupi diplomatik i Kosovës në këtë shtet.
MPJ zotohet se i gjithë shërbimi diplomatik nëpër botë do të vazhdoj ta kryej punën e tij në mënyrë profesionale dhe në shërbim të interesave të qytetarëve të saj pavarësisht kërcënimeve e shantazheve.