“Siparantum”, përfaqëson Kosovën në festivalin koreve botërore në Francë

Kori “Siparantum” i qytetit të Pejës do të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të koreve botërore, që mbahet në Francë nga 9 deri më 13 maj.

Për herë të parë në një konkurrencë të madhe prej shumë shteteve të botës pranohet kori “Siparantum” nga qyteti i Pejës, I cili do të përfaqësojë Kosovën në Festivalin Internacional të koreve botërore “NANCY voix du monde” që mbahen në Francë.

“Natyrisht konsideroj që ky është një sukses shumë i madh për ne, meqë ky kor është formuar vitin e kaluar dhe për një kohë shumë të shkurtër kemi arritur të realizojmë vepra shumë të vështira dhe të kemi repertor profesional. Kjo besoj që ka ndikuar në pranimin tonë në këtë festival. Është një gëzim i papërshkrueshëm për ne, duke e marrë parasysh që tanimë do të jemi në konkurrencë me shtetet si: Gjermania, Republika e Kongos, Zvicra, Kili, Argjentina, Filipina, Algjeria, Ukraina, Kosova, Ekuadori, Bullgaria, Çekia etj., prandaj kjo është një kënaqësi e madhe që të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Qëllimi ynë tashmë është i qartë, të prezantohemi në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe të prezantojmë vlerat tona të mirëfillta. Repertori ynë do të jetë i larmishëm. Do të paraqitemi me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe kompozitorëve shqiptarë”, tha dirigjenti i korit Memli Kelmendi, raporton koha.net.

“Festival International de Chant Choral “NANCY voix du monde” që mbahet nga 9-13 maj, kori “Siparantum” do të paraqitet në 5 mbrëmje në sallat koncertale më të njohura të vendit. Festivali Ndërkombëtar i këngës korale të Nancy është formuar në vitin 1979 dhe organizon çdo 2 vjet një ngjarje muzikore që mbledh koret nga e gjithë bota.

Që nga themelimi i saj, deri më sot kanë marrë pjesë 260 kore nga 63 vende të botës. Kosova paraqitet për here të pare në këtë festival. “Siparantum Choir”, së shpejti do të dalë me programin zyrtar, me të cilin do të paraqitet në Francë.

SHKARKO APP