Situatë e brishtë tripolare në Kosovë

Placeholder Image

Nga Marjana Doda

 

Zgjedhjet e datës 11 Qershor në Kosovë dhe koalicioni paszgjedhor po tregojnë për një të ardhme të turbullt të saj. Qytetarët e Kosovës të hallakatur mes dëshirës për një të ardhme më të mirë e të sigurt, të kujtesës së plagëve të luftës dhe paqes së dëshiruar, ndoshta në të pavetëdijshmen e tyre, për t’iu shkuar pas liderve, përveçse ushqyen egon dhe pasionin për pushtet të tyre, nuk po shohin dritë në fund të tunelit.

Nga një analizë e thjeshtë e aktorëve dhe faktorëve në Kosovë bën të mendosh që situata të mos duket optimiste. Përveçse plotësimit të egos liderëve politikë, asgjë me shpresë nuk po duket në horizont. Një situatë tripolare e krijuar pas nënshkrimit të koalicionit paszgjedhor ka bërë që stabiliteti politik në Kosovë të jetë mëse i brishtë. Presioni i vazhdueshëm i ish-komandantëve të UÇK-së për të zotëruar jetën politike në vend, gati janë bërë të lodhshëm në tërë formatin e tyre për qytetarët e Kosovës, por jo vetëm, gjë që ka bërë që elektorati të tkurret çdo ditë e më shumë. Figurat Thaçi-Haradinaj-Limaj, duke mos promovuar lider të rinj, por të qëndruarit të tyre aty për afro 20 -vjet me të njëjtën prerje, po humbin besimin e qytetarëve dhe sidomos tani që tashmë janë të prirur t’iu përulen minorancave të tjera parlamentare.

Në një vend të vogël me 1.8 milion banorë, me një parlament prej 120 deputetë, dhe një qeveri me 21 ministra dhe 5 zëvendëskryeministra tregojnë më së miri se nuk është më shumë interesi për t’i shërbyer popullit të Kosovës, por që politikanët t’iu shërbejnë njëri-tjetrit për të mbijetuar duke krijuar një tortë sa më të madhe të quajtur “megaqeveri”.

Proçesi zgjedhor solli rezultatin e fitores së koalicionit PAN me përbërje; Partinë Demokratike të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma që fituan 39 vende në parlament, Lëvizja VETËVENDOSJE!e vetme fitojë 32 vende, duke e bere ate fituese e vertete te ketyre zgjedhjeve. Koalicioni LAA ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Kosovën e Re dhe Alternativa kanë fituar 29 vende, Lista Serbe 9 vende dhe pjesa tjetër e rezervuar për pakicat.

Por koalicioni qeverisës për hir të establishmentit të luftës së vitit 1999-të nuk pranoi të bënte koalicion me VETËVENDOSJEN dhe të krijohej një qeverisje më e qëndrueshme por duhej të zgjidhej Ramush Haradinaj kryeministër duke përçarë koalicionin LAA e duke ftuar Listën Serbe. Koalicioni me liderin e AKR-së, Bexhet Pacolli, tejet i anatemuar si restaurues i Kremlinit në presidencën e Jelcinit dhe varësia te Lista Serbe, të krijon idenë që brenda vetë qeverisë të ketë pozitë-opozitë.

Ndërsa opozita e vërtetë dhe pse nuk u kurorëzua me triumf qeverisës, tashmë i ka të gjitha mundësitë për të bërë një opozitë aktive për t’i rizgjuar kosovarët nga ëndërrat me luftë e paqe. Fushata VETËVENDOSJES e pati shumë sukses, dhe pse nuk ju ofrua e drejta qeverisëse, kjo se komandantët e UÇK-së nuk lëshojnë karrige, ndërsa për LDK-në është sërish momenti për t’iu rikujtuar kosovarëve se ata janë të zotët të ndërtojnë paqen dhe të ardhmen me besimin e dikurshëm.

Pra, një koalicion qeverisës me PAN ( PDK-AAK-Nisma) + AKR-Lista Serbe = Opozitë (Vetëvendosje- LDK), bën të mendosh se Kosova është në udhëkryqin e një situatë të brishtë tripolare. Vetëm me 61 deputetë, Haradinaj duket “i rrethuar” tërësisht nga AKR-ja dhe Lista Serbe, qoftë dhe sikur një deputet i tyre të mos dëshirojë qeverisjen e tij.

Sikur t’i shtojmë këtij koalicioni komentet e mediave serbe, sëpaku mediumit Kurir.rs se; “Fituan kriminelët! I ashtuquajturi Koalicioni i UÇK-së në të cilin janë ish-udhëheqësi i organizatës terroriste Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj”, apo deklaratës të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq se;”Nuk do shantazhojmë, nuk do t’ua fusim dorën në sy shqiptarëve, por do jemi një gur në këpucë për t’a, që t’ia rikujtojmë Prishtinës detyrimet që ka”, bën të mendosh që nuk do ketë një qeverisje të sigurt por të paragjykuar.

Thjesht pra, stoiçizmi për të mbajtur në pushtet figura të tilla dhe me kryeministër Haradinaj, me urdhër arresti ndërkombëtare nga ana e Serbise , bën të dyshosh se si do bashkëpunojë e negociojë me serbët e djeshëm “armiq” dhe sot të dialogojë. A do t’i besojë tisit të dyshimtë të Bexhet Pacollit, që dikur nuk gëzoi as tre ditë të jetë president, ndërsa tashmë detyron PAN të nënshkruajë marrëveshjen me AKR-në duke bërë kështu që pas përfundimit të mandatit të Thaçit të zgjidhet ai President. Por a mund të mbrohet kështu integriteti i Kosovës dhe interesat e kosovarëve? Vështirë se po.

Kujtojmë se Demarkacioni, çoi në një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Isa Mustafës, pas të cilit u shpërbë Kuvendi dhe Kosova hyri në një proçes të ri të parakohshëm zgjedhor më 11 qershor. Që do të thotë se kjo çështje do të jetë, edhe faktor përcaktues i funksionimit të kesaj qeverie .

A do të ketë autoritetin dhe integritetin e duhur Haradinaj për të përballuar çështje të rëndësishme si të demarkacionit, asociacionit të komunave serbe , të integrimit në BE? A do mund që të bashkëpunojë me serbët “armiq”, që ndërkohë që ai votohej ata merrnin bekimin në Beograd, edhe pse sipas mediave serbe Presidenti Vuçiq thuhet të jetë shprehur se;” më mirë me Ramush Haradinajn se sa Albin Kurtin i cili pretendon Shqipërinë e Madhe”.

A do mund Haradinaj që nëpërmjet Pacollit zv.kryeministër dhe ministër të Jashtëm të “restaurojë” njohjen e plotë të Kosovës ashtu siç restaurojë Kremlinin? Dhe sëfundmi, a do kenë tashmë të drejtë partitë opozitare që t’iu drejtohen sërish qytetarëve të Kosovës se duhet shpërndarë mjegulla që ka pushtuar Prishtinën zyrtare?

Kryetari i LDK në një postim në rrjetin social Facebook deklaron se: Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e Listës Rugova”, dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale” .

Ndërsa për këtë koalicion qeverisës Lëvizja Vetvendosje do deklaronte;”Sot ata që e duan më shumë pushtetin se Kosovën, më në fund arritën të formojnë një qeveri pasi erdhi “leja” nga Beogradi. Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiq…Ne e dimë që kjo qeveri i ka punët pisk. Por i bëjmë thirrje , as të mos t’i shkojë ndërmend të sillni në Kuvend temat për Zajdenicën, Demarkacionin, …tani ne jemi dyfish më të fortë dhe qeveria dyfish më e dobët. Mos i hapni telashe të reja vendit”. Veç sa me sipër, ende nuk ka deklarata të qarta inkurajimi për qeverinë e re nga BE e SHBA, dhe pse nëpërmjet zëdhënëseve të tyre inkurajuan proçesin zgjedhor dhe shpresojnë për një qeverisje për të thelluar proçesin e reformave drejt integrimit euro-atlantik. Porse një qeveri me paterica serbe dhe një opozitë gjithnjë e më të fortë, bëjnë që jetëgjatësia e saj ndoshta nuk do t’i mbushë ditët e mandatit që i takojnë.

SHKARKO APP