Sonila Meço: Intervista e Ramush Haradinajt që shqetësoi Tiranën politike dhe mediatike
Në një intervistë ekskluzive për Tempora, në Ora News, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bën deklarata të forta, ngre akuza të drejtpërdrejta si asnjëherë më parë mbi çështjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një moment kaq të rëndësishëm dhe delikat, kur nga kreu i qeverisë së një shteti të pavarur, njëherazi ish luftëtar i UÇK-së artikulohen ide dhe mesazhe të drejtpërdrejta në drejtim të komunitetit ndërkombëtar, politikës në Kosovë, asaj në Shqipëri, liderve të tyre, mediave dhe shqiptarëve, në kushte të një informacioni të paqartë dhe mungese absolute transparence nga aktorët, që kanë propozuar një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, që mund të prekë kufijtë mes tyre, më e rëndësishmja është të bëhen të gjitha pyetjet, të shtrohen të gjitha dilemat, të dëgjohemi e flasim duke guxuar të hapim të gjitha dyert e mbyllura përtej të cilave tentohet me shumë forma të vendoset fati i një vendi.
Për këtë, çdo pikpyetje, dyshim a dilemë që sot endet në mendjen e çdo shqiptari mbi fatet e Kosovës e Shqipërisë duhet të marrë përgjigje nga ata që janë në krye të tyre. Ramush Haradinaj e bëri, foli hapur, pa asnjë drojë për Kosovën sipas tij, për qëndrimin e tij të prerë mbi të ardhmen dhe tërësinë territoriale të saj, për ndikimin e armiqve të Kosovës, për rusët që po ushtrojnë çdo lloj ndikimi deri në blerje politikanësh, analistësh e mediash për të imponuar një axhendë të tyren. Ky është misioni i medias, të guxojë të arrijë tek e vërteta, në kërkimin e pakompromis të saj, duke pyetur, marrë përgjigje.
Patjetër në kohë si këto ka nga ata, që shqetësohen nga përgjigjet e deklaratat e kryeministrit Haradinaj. Ka nga ata që do të donin të mos prekej asfare kjo çështje në mediat shqiptare, duke u shqetësuar nga pyetjet e gazetarëve.
Ndaj detyra primare e medias, asaj që nuk shantazhohet, nuk blihet e nuk ka asnjë axhendë veç interesit publik është t’i trazojë, të marrë qëndrime në vetën e parë, të bëjë protagonistët të flasin. Vetë media e politika sot duhet të shqetësohen nga akuzat e Haradinajt. Por mbi të gjitha, sot kemi një intervistë e deklarime me zë e figurë nga lideri i Kosovës mbi vendosmërinë e tij për të detyruar komunitetin ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Serbinë për njohjen e Kosovës. Nuk do të mund të përftojmë kurrë qëndrime në vetën e parë pa bërë të gjitha pyetjet.
Ky është misioni i gazetarit, kush tutet për ta bërë a kush trazohet fort prej tyre, arsyet duhet t’i gjejë tek qëllimet e tij.