Sot, dita ndërkombëtare e të zhdukurve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje sot bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojnë trysni mbi Beogradin për hapjen e arkivave të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat do të siguronin informacione rreth fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

25 vjet pas luftës, familjet e rreth një mijë e 600 personave në Kosovë, ende nuk dinë asgjë për fatin e të afërmëve të tyre.

“Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i tyre i thellë mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne u kemi borxh që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre”, tha kryeministri Kurti.

Ndonëse në maj të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të tyre, zotimet e kësaj deklarate mbesin ende të papërmbushura.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se të zhdukurit me dhunë gjatë luftës mbeten plaga më e thellë e Kosovës, ndërsa akuzoi Serbinë se po e përsërit krimin duke e mohuar të vërtetën.

“Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, shkroi presidentja Osmani në një komunikatë shtypi.

Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”, tha se familjarët janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë dhe mungesa e hapave konkret për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

“Jemi jo të kënaqur me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Fajin e ka edhe Brukseli sepse ndërkombëtarët nuk po e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë se ku ndodhen më të dashurit tonë”, tha ai.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Autoritetet thonë se aktualisht po zhvillohen gërmime në Kozhle të Serbisë por edhe në 13 vende të ndryshme në Kosovë./VOA

SHKARKO APP