Sveçla: Në Banjskë gjetëm makinën e bashkëpunëtorit të djalit të Vuçiç
Dy javë pas sulmit terrorist në Banjskë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vijuar me publikimin e dëshmive të reja, për zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi.
Sveçla ka shkruar se në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, policia kanë gjetur dokumentin personal (letërnjoftimin) dhe veturën e Milorad Jevtiç, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciç, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciç.
“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vucic, djalit të presidentit serb Aleksandar Vucic.
Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë. Milorad Jevtiç është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”, ka shkruar Sveçla në Facebook.