Takimi Kosovë-Serbi në SHBA, Tahiri: Jo marrëveshje ekonomike pa njohjen e pavarësisë

Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, mendon se pakti ekonomik që dy vendet kanë arritur në Uashington i mungon aspekti politik i njohjes së ndërsjellë. Ajo e sheh me pozitivitet largimin nga bisedimet të temës për kufijtë. Ndërkohë analistët i shqetëson përbërja e delegacionit kosovar.

Marrëveshja ekonomike që Kosova dhe Serbia kanë ndërmjetësuar në Shtëpinë e Bardhë do duhej të ndëthurte një kornizë të qartë politike për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Sipas ish-udhëheqëses së dikurshme të bisedimeve dypalëshe, Edita Tahiri, angazhimi i fundit amerikan ka qenë mundësi e mirë për ta adresuar temën që mban ndaras dy fqinjët, por që Serbia refuzon ta pranojë.

Dokumentet tregojnë se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje ndërshtetërore, thekson Tahiri.

“Asnjë marrëveshje që mund të dalë nga Uashingtoni nuk guxon të dalë pa kornizë të qartë politike që është fjala për dy shtete të pavarura dhe sovrane…. Nëse Serbia dëshiron marrëveshje ekonomike sepse përfitimet ekonomike janë për të dyja shtetet, atëherë duhet të jetë e gatshme të pranojë realitetin.”

Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës dhe homologët e tyre serbë këto ditë kanë qëndruar në Uashington me ftesë të Shtëpisë së Bardhë.

Ish-ministrja kosovare për dialog shton se është fakt pozitiv që është larguar nga bisedimet tema për kufijtë, e mbyllur përfundimisht nga kancelarja gjermane Angela Merkel vitin e kaluar në Berlin.

“Më e keqja ka qenë përfshirja e presidentit të Kosovës në këtë punë, por tani është hequr dhe rrethanat në bisedimet e Uashingtonit janë shumë më të favorshme dhe ndoshta kjo ka ndikuar që Serbia të kuptojë që ato ëndrrat e Serbisë së madhe nuk mund t’i realizojë…”

Sipas Tahirit, përfaqësuesit e partive të mëdha opozitare në Kosovë duhet të ishin pjesë e delegacionit, për të treguar njëfarë uniteti institucional.

Pikëpyetje ka ngritur edhe përbërja e ekipit të gjerë me pjesëtarë të dikastereve qeveritare që nuk lidhen me ekonominë, edhe pse marrëveshjet e palëve në thelb janë të kësaj fushe.

Këtë opinion ndajnë drejtuesi i një instituti vendës për demokracinë, Emir Abrashi, dhe analisti Faton Abdullahu.

“Ani pse vet kryeministri është profil ekonomik, megjithatë mendoj që është dashur të jenë edhe përfaqësues të botës së biznesit pjesë e delegacionit i cili do të trajtojë këto çështje me rëndësi.”

“Duket kjo ka ndodhur jo për shkak të prirjes që të jenë më të përgatitur atje por për shkak të prirjes për t’i amortizuar hatërmbetjet e këtij koalicioni i cili që një kohë të gjatë është i përçarë brenda vetës së tij.”

Marrëveshjet e arritura të premten u ndërmjetësuan nga i dërguari i posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Riçard Grenell, në muajt janar-shkurt të këtij viti për linjat ajrore, hekurudhore dhe rrugore, por ende nuk kanë nisur të zbatohen.

SHKARKO APP