Taksa e “Rrugës së Kombit”, Haradinaj: E tepruar, Rama të mbarojë rrugën e nisur nga Berisha

Taksa e vendosur në ”Rrugën e Kombit”, për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj “është e tepruar”. Ai u tregua mjaft i përmbajtur në komentet e tij, duke lënë të kuptohet se Prishtina zyrtare konsideron që kjo është një çështje e Shqipërisë e si e tillë, zgjidhjen duhet ta marrë brenda kufijve, por më e pakta që qeveria “Rama” duhet të bëjë në këtë rast, sipas tij, është që të rregullojë rrugën e nisur në kohën e Sali Berishës dhe ende të papërfunduar siç duhet.

“Ta bëjnë atë autorrugë se ka mbetur keq shumë. Që të kalosh nga Morina e deri diku te tuneli është tmerr. Është e papërfunduar, ato ura, ato dynivelizime të këqija… Është e rrezikshme. Është mandati i dytë i Edi Ramës dhe duhet ta përfundojë këtë rrugë. Ka mbetur pjesa nga kufiri me Kosovën, në ngjitje të tunelit; ka mbetur pjesa kur mbërrijmë në Milot dhe pjesa deri në Vorë”, tha Haradinaj.

Taksa prek më së shumti kosovarët, thekson Haradinaj, i cili bën një llogari të thjeshtë: për shkak të mospërfundimit të rrugës, ata, sipas tij, humbin me amortizim makine e kohë, e duke i shtuar edhe 5 eurot e taksës, e gjithë kjo, për kryeministrin e Kosovës, është e ekzagjeruar.

“Për mua është e tepruar, sidomos për faktin se nuk po e shoh të jetë thënë që do ta përmbyllim këtë autorrugë vjeshtën e këtij viti. Të thuhet do vendosim kritere, mirëmbajtje dhe këtë taksë, atëherë jemi në rregull. Unë e paguaj me qejf, jo 5 euro, por sa të duash, ama mos na e lë rrugën ashtu”, deklaroi Haradinaj.

SHKARKO APP