Tërmetet mund të godasin Prishtinën, ndërtesat të dobëta

Kosova shtrihet në një zonë tektonike, ku lëkundjet e tokës mund të jenë të shpeshta dhe të fuqishme. Tërmetet e ditëve të fundit në Shkup, kanë prekur edhe Kosovën dhe qytetarët e Prishtinës thonë se, i kanë ndjerë dridhjet e të paktën një prej disa tërmeteve që goditën kryeqytetin maqedonas.

Përfaqësues të autoriteteve kompetente të Sizmologjisë në Kosovë thonë se, nuk e përjashtojnë mundësinë që Kosova të goditet nga tërmete të forta.

Zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë Istogu, Peja dhe Prizreni, megjithëse Vitia, Ferizaj dhe Gjilani janë zonat që edhe në të kaluarën janë prekur nga goditjet tektonike.

Brenda 15 vitesh në Kosovë kanë ndodhur dy tërmete me mbi 5 ballë të shkallës “Rihter”, një me pasoja të rënda në Gjilan.

Shemsi Mustafa, nga Rrjeti Sizmologjik i Kosovës, i tha Radios “Evropa e Lirë” se, bazuar në hartën e rrezikut sizmik në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike apo shkatërruese, por mund të ketë tërmete, siç quhen, të forta, që arrijnë në 6.2 shkallë të Rihterit.

“Duke u bazuar në rrjetin sizmiologjik dhe hartës së rrezikut sizmik, Kosova nuk rrezikohet nga ndonjë tërmet katastrofik apo shkatërrues total, por sipas hartës mund të ndodhin tërmete të mëdha ose siç i quajmë ne tërmete të forta.

Nëse janë të përgatitura mirë drejtoritë e urbanizimit dhe komunat në ndërtimin e objekteve, nuk do të ketë rrezik për qytetarët e Kosovës”,- thekson Mustafa.

Por, saktësisht çështja e ndërtimit në Kosovë është më shqetësuesja.

Ndërtesa të shumta banimi të ndërtuara pas luftës në Kosovë janë të dyshimta për nga cilësia e ndërtimit, stabiliteti dhe siguria. Pranimet teknike, të cilave do të duhej t’u nënshtroheshin ndërtesat në të shumtën e rasteve, nuk janë bërë nga autoritetet kompetente në Kosovë./REL/

SHKARKO APP