Thaçi kërkon përfaqësim diplomatik në Vatikan
Në vazhdim të qëndrimit në Selinë e Shenjtë në Vatikan zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar sekretarin për marrëdhënie me shtete në Vatikan, Monsinjor Paul Gallagher. Zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se e çmon përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën në ndërtimin e një shoqërie mbi vlerat e tolerancës dhe bashkëpunimit. “Pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe e stabilitet në rajon. Kemi marrëdhënie të mira me fqinjë dhe me Serbinë kemi nisur normalizimin e marrëdhënieve, një dialog ky për pajtimin mes dy popujve, si dhe kemi instaluar mekanizma që garantojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë”, i ka thënë Thaçi, sekretarit Gallagher.
Me sekretarin për marrëdhënie me shtete në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, zëvendëskryeministri Thaçi ka folur edhe për instalimin e instrumenteve për mbrojtjen e trashëgimisë historike, kulturore e fetare të të gjitha komuniteteve. “Kemi Këshillin për Implementim dhe Monitorim që mbikëqyr mbrojtjen e kësaj trashëgimie të rëndësishme për Kosovën, por edhe tërë botën. Jemi duke përgatitur aplikimin për anëtarësim në UNESCO, që pritet të ndodhë në javët në vijim dhe kjo do të na ofrojë edhe një ombrellë tjetër për të ruajtur trashëgiminë fetare, historike e kulturore”, ka thënë Thaçi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për t’i thelluar marrëdhëniet me Selinë e Shenjë në Vatikan, ka shprehur gatishmërinë edhe për emërimin e një përfaqësuesi të Kosovës në Vatikan.