Thaçi: Kosova po rrezikohet nga pandemia e Covid-19 dhe rrëzimi i qeverisë
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në lidhje me hapat që duhet të ndërmarrë pas rrëzimit të qeverisë Kurti.
Këto komente Thaçi i bëri gjatë takimeve konsultative që pati sot me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e AKR-së dhe ka pritur në takime të ndara përfaqësuesit e Listës Serbe, Kryetarin e Nismës Socialdemokrate, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë dhe Kryetarin e AAK-së.
Sipas një njoftimi për mediat nga Zyra e Presidentit, thuhet se Thaçi është shprehur se Kosova gjendet në një situatë, e cila në njërën anë karakterizohet me rrezikun e shtuar nga pandemia e virusit COVID-19 dhe në anën tjetër me votën e mosbesimit për Qeverinë Kurti të datës 25 mars 2020.
“Në këto rrethana është prioritet që të konsultohemi dhe të veprojmë me përgjegjësi para qytetarëve”, ka thënë Thaçi.
Ai në secilin takim është shprehur se si president i vendit do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.