Thaçi: Kosova vazhdon rrugëtimin drejt BE-së

 

 Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim pune drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst.

Në takimin në të cilin ishte i pranishëm edhe Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, zëvendëskryeministri Thaçi nënvizoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri Thaçi shprehu mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të BE-së për mbështetjen dhënë vendit në përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila u ratifikua së fundi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por edhe për konsolidimin e Kosovës në planin e jashtëm dhe atë të brendshëm.

“E falënderova znj. Eichhorst për mbështetjen që BE po vazhdon t’i japë Kosovës. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit hapë mundësi të reja për qytetarët tanë, por edhe do të stimulojë zhvillimin ekonomik dhe të gjithëmbarshëm të vendit. 

Nënshkrimi dhe ratifikimi i MSA-së nxitë institucionet e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi nënvizoi se Kosova po bënë hapat e fundit drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e saj. 

Thaçi theksoi të arriturat në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. 

Zëvendëskryeministri Thaçi shtoi se institucionet e Kosovës po intensifikojnë angazhimet për anëtarësimin në organizata multilaterale ndërkombëtare dhe falënderoi vendet anëtare të BE-së për partneritetin e ofruar në këtë rrugëtim. Ai veçoi rëndësinë e stabilitetit politik në vend për të jetësuar proceset e rëndësishme për zhvillimin e vendit. 

Ndërkaq, Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë pranë BE-së, Angelina Eichhorst, vlerësoi të arriturat dhe theksoi se BE do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe inkurajoi thellimin e bashkëpunimit rajonal.

SHKARKO APP