Thaçi: Serbia, plan për aneksimin e Veriut të Kosovës

Para fillimit të dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi flet në intervistë me Deutsche Wellen për pritshmëritë e takimit.

Pjese nga intervista dhene ne DW për gazetarin Bahri Cani

Zoti president, cilat janë pritshmëritë nga takimi i nivelit të lartë që fillon sot në Bruksel, një takim ky që zhvillohet në një atmosferë të tensionuar?

Hashim Thaçi: Nuk pres ndonjë mrekulli, rrethanat kanë ndryshuar, tanimë Serbia ka plan të detajuar për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, pjesë qendrore e këtij plani politik dhe ushtarak të Serbisë është aneksimi i pjesës veriore të Kosovës dhe bashkangjitja e kësaj pjese shtetit të Serbisë. Besoj se NATO, Bashkimi Europian dhe SHBA duhet të jenë shumë të qarta lidhur me këto pretendime për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe aneksimin e Kosovës në raport me Serbinë. Kjo politikë e re e Beogradit, e presioneve, e shantazheve dhe e tensioneve në raport me vende të tjera të Ballkanit, e në veçanti me Kosovën është edhe rezultat i paaftësisë së Bashkimit Europian dhe mosvizionit të qartë të perspektivës euroatlantike të Brukselit në raport me Ballkanin Perëndimor. Por Kosova do të tregojë unitet politik e qytetar dhe këtij pretendimi aneksues të Serbisë do t’i përgjigjemi me forcën kushtetuese dhe ligjore.

Si do ta ndikojnë tensionimet e fundit dialogun që zhvillohet sot, a është i mundur një dialog në kushte të tilla?

Dialog e negociata shtetet dhe popujt historikisht kanë zhvilluar edhe në kohë krizash, konfliktesh apo edhe luftërash, siç kemi zhvilluar ne si Kosovë edhe në Rambuje apo Vjenë me procesin e negociatave. Por një gjë duhet ta kemi të qartë këtë dua t’ia bëj të qartë Beogradit në prani të Bashkimit Europian, se përveç trupave të NATO-s, Kosova çdo trupë tjetër të huaj do ta vlerësojë si trupë armike dhe do t’i përgjigjet me forcën kushtetuese e ligjore. Prandaj është koha e unitetit politik dhe qytetar në Kosovë. Me Serbinë na presin ditë më të vështira në të ardhmen e afërt.

Pas lirimit me kusht, Ramush Haradinaj pret vendimin përfundimtar në Francë, arrestimi i tij u bë me fletëarrest serb, a do të bisedoni për pastrimin e listave dhe fletëarresteve të Serbisë?

Kam kërkuar më herët e do të kërkoj edhe sot që Brukseli të jetë i qartë dhe i vendosur në raport me Beogradin, unë nuk kam ndonjë autoritet ndikues tek autoritetet e Beogradit, jam edhe një prej atyre në listat e Beogradit, i përndjekur dhe dënuar në mungesë, por mendoj, se ndaj të gjithë luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, Serbia duhet të tërheqë fletëarrestet. Sepse Serbia nuk mund të pretendojë sot të sillet si pjesë e familjes europiane me shkollën e kohës së Sllobodan Millosheviçit.

SHKARKO APP