Thaçi shprehet i zhgënjyer nga mosuniteti i BE-së kundrejt Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të mërkurën se është befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e mbajtur në Berlin ditë më parë me liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i bëri këto komente në një takim me ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, në të cilin ka shprehur zhgënjimin e tij se si në takimin e Berlinit nuk ka pasur unitet në vendet e Bashkimit Evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Si të arritur të këtij takimi, Thaçi ka përmendur dakordimin e Kosovës dhe Serbisë që, pas insistimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, të mbahet takimi i ardhshëm në Paris, më 1 korrik. Përveç kësaj, ai ka thënë të ketë mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares (Angela) Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, ka thënë ai. Sa i përket kërkesës për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se ky proces duhet të finalizohet me një marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja shtetet. Sa i përket taksës, që aktualisht përmendet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si bllokuese e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, Thaçi ka thënë se kjo masë duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi. Autoritetet e Kosovës kanë vënë taksë 100 për qind, gjashtë muaj më parë në importet e Serbisë dhe Bosnjës. Taksa vazhdon të mbetet në fuqi pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për pezullim të saj.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?