“The Guardian” – Rusia dhe Serbia 10 vjet operacion për të destabilizuar Ballkanin
E përditshmja britanike The Guardian ka publikuar një seri dokumentesh të siguara nga Shërbimet Inteligjente Maqedonase,të cilat faktojnë përpjekjen e Rusisë për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht Maqedoninë.
Sipas The Guardian, spiunët dhe diplomatët rusë kanë qenë të përfshirë në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të përhapur propagandë dhe për të provokuar mosmarrëveshje në vendin fqinj.
Dokumentet sugjerojnë se Moska ka kërkuar të rrisë ndikimin e saj në të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë, kurse qëllimi është t’i ndalojë këto vende të anëtarësohen në NATO dhe t’i largojë nga influenca perëndimore.
Dosjet u morën nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në raport tregohen edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët pro-rusë dhe anti-perëndimorë në Maqedoni.
Operacioni filloi në 2008 kur Greqia bllokoi përpjekjen e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO.
Athina dhe Shkupi kanë mosmarreveshje të qarta mbi emrin e Maqedonisë.
Dokumenti thotë: “Duke përdorur mjetet dhe metodat e të ashtuquajturës pushtet të butë, si pjesë e strategjisë së Federatës Ruse në Ballkan, qëllimi është izolimi i vendit nga ndikimi i perëndimit”.
Ajo thotë se politika e jashtme e Rusisë në rajon është “në korrelacion të ngushtë” me strategjinë e saj të energjisë.
Qëllimi i Kremlinit është të kontrollojë “burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me vendet e Ballkanit” dhe ta bëjë Maqedoninë “ekskluzivisht të varur”.
Përpjekjet ruse dhe serbe për të larguar Maqedoninë nga perëndimi kanë kontribuar në krizën politike dhe etnike të gjatë të vendit, tregojnë dokumentet e rrjedhura.