Thirrja nga Kosova, MPJ: Të rishqyrtohet çmimi Nobel për Handke
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, përmes një deklarate për media, ka shprehur “shqetësimin e thellë për ndarjen e Çmimit Nobel për shkrimtarit austriak, Peter Handke”. MPJ-ja kërkon nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi shkrimtarit Peter Handke. “Ne gjykojmë se kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar, mohuesit të gjenocidit, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme, në të cilin u bëhet thirrje institucioneve relevante botërore, akademive shkencore dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ngrehin zërin e tyre dhe të shprehin kundërshtimin me vendimin e Komitetit të Nobel-it.
Shpallja e shkrimtarit austriak si fitues i çmimit Nobel ka ngjallur reagime të shumta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha më 10 tetor se ky vendim solli dhimbje të të jashtëzakonshme për viktimat e panumërta. “E mbaj mend, në vitin 1990 Vaclav Havel, Susan Sontag e shumë të tjerë e dinin se ligësia në Evropë duhet të ndalet dhe se gjenocidi në Kosovë e në Bosnje e kishte një përgjegjës. Handke vendosi t’i mbrojë e përkrah përgjegjësit. Ky vendim sjell dhimbje të thellë për shumë viktima”, shkroi presidenti Thaçi, në rrjetin social Twitter.
Organizata amerikane Pen, tha se zgjedhja e Komitetit të Nobelit për laureat të çmimit në letërsi është për keqardhje. Kritika shumë shpesh e ka cilësuar si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë në Evropë, opusi letrar i Handkes pati rënë në plan të dytë pasi që vitit 1996 pati publikuar esenë “Një udhëtim dimëror kah Danubi, Sava, Morava dhe Drina ose drejtësia për Serbinë” dhe më pas edhe katër libra të intonuara në të njëjtën mënyrë. Për shkak të mbështetjes së Serbisë së izoluar ndërkombëtarisht, vizitës së mëvonshme të ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq në njësinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës, si dhe shkuarjes në varrimin e tij, Handke kryesisht është kritikuar, madje edhe është parë si famëkeq në opinionin ndërkombëtar. /Europa e Lirë/