“T’i kthehen dialogut”/ Shtohen zërat për të qetësuar situatën në veri të Kosovës
Bashkësia Ndërkombëtare ka dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Por, krahas kësaj kërkojnë nga Prishtina dhe Beogradi të kthehen në tavolinën e diskutimit për të evituar çdo përshkallëzim të mundshëm. Megjithatë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar fillimisht sanksionimin e Serbisë që e sheh përgjegjëse për sulmin terrorist e siç thotë ajo, pastaj diskutimin. Të njëjtin kusht ka edhe Qeveria si udhëheqëse e negociatave e palës kosovare në dialog.
“Ajo çka ka ndodhur me 24 shtator në fshatin Banjskë ka qenë cenim i sovranitetit shtetëror, integritetin territorial dhe sigurisë kombëtar, si asnjë herë më parë prej përfundimit i luftës. Tani kemi një situatë krejt të re me prioritete tjetra urgjente e që kanë të bëjnë me adresimin e pasojave të sulmit terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Ajo çka është e domosdoshme të ndodhë aktualisht është garantohet siguri për Kosovën dhe vendosen sanksione për Serbinë”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për Top Channel. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë që Kosova duhet të kthehet në dialog me kushte.
“E para që duhet të diskutohet dhe të ndodhë menjëherë nga Bashkimi Evropian është largimi i sanksioneve ndaj Kosovës. Nën dy, e që është më kryesorja që duhet të kërkohet është një dialog mes Kosovës dhe BE-së që po shihet se ka një mungesë të madhe në ketë mes. Duhet të hapet një dialog Kosovë-BE me ndërmjetësim të SHBA-ve”, shprehet Dritëro Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Takimi i fundit në Bruksel në nivel të lartë të dialogut mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç ishte më 14 shtator, dhjetë ditë para sulmit terrorist.