Tri vite nga vdekja e Astrit Deharit, rezultate nuk ka
Po bëhen rreth dy vite që nga koha kur lënda për vdekjen e Astrit Deharit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për ekspertizë. Por, edhe pas tërë këtyre muajve ende janë kthyer rezultatet prej atje.
Ndonëse në Prokurorinë e Prizrenit shpresonin se rezultatet do t’i kishin më së largu në fillim të tetorit, një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti ka thënë se ende janë në pritje të ekspertizës.
“Referuar kërkesës dhe pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ende jemi në pritje të ekspertizës për rastin në fjalë. Andaj, për çdo eventualitet do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Mehmeti për Express.
Ndërkohë, ditë më parë prokurori i rastit Metush Biraj tha se kanë bërë parashkresë që të shpejtohet rasti, derisa shpresonte që rezultatet të dalin gjatë më së largu në fillim të tetorit.
“Ne kemi bë parashkresë për me përshpejtu rastin, por s’kemi marrë përgjigje. Besojmë edhe shpresojmë që do të bëhet diçka në shtator apo tetor sepse është tepru”.
E derisa në Zvicër po kryhet super ekspertiza, kanë ndërruar edhe deklaratat e prokurorisë për këtë rast.
Tashmë edhe në dokumente rasti “Dehari” nuk po cilësohet si vetëvrasje, por, si “vdekje e dyshimtë”.