Trump përgënjeshtron serbët: Asnjë intervistë për bombardimet e NATO-s

Fillimisht në mediat serbe e më pas edhe në ato shqiptare, qarkulloi ditën e enjte një lajm, sipas të cilit, Donald Trump, në një intervistë për një revistë në Beograd, i kishte kërkuar ndjesë popullit serb për Kosovën dhe bombardimet e NATO-s.

Lajmi u përhap nga revista “Nedeljnik”, e cila pretendon se, e kishte realizuar atë përmes këshilltares së kandidatit republikan, Suzanne Ryder Jaworowski.

“Bombardimi i serbëve, që kanë qenë aleatët tanë në të dyja luftërat botërore, ishte një gabim i madh. Serbët janë njerëz të mirë, por fatkeqësisht, administrata Klinton u shkaktoi shumë vuajtje atyre dhe gjithë Ballkanit, duke krijuar kaos”,- citon Donald Trump revista serbe.

Por sa të vërteta janë këto fjalë? Sipas “Politicos”, që është interesuar pranë stafit të fushatës së kandidatit republikan; zero… dhe vetë Jaworowski ka mohuar realizimin e një interviste të tillë.

“Nuk ka patur asnjë intervistë të Trump për mediat serbe. Nuk e di nga ka dalë kjo, por unë personalisht nuk kam ndërmjetësuar asnjë intervistë të asnjë lloji dhe me asnjë gazetar serb”,- thotë ajo.

Por nga buroi kjo “intervistë”? Marko Prelevic, redaktor i revistës tha për Buzzfeed Neës se kishte kontaktuar me stafin e Trump përmes Vladimir Rajcic, një serb shtetas amerikan i afërt me disa këshilltarë të Trump.

“I kërkuam atij me e-mail nëse mund të dërgonim disa pyetje. Ai pranoi dhe disa javë më vonë na erdhën përgjigjet nga Suzanne Ryder Jawrowski”,- pretendon ai./TCh/

SHKARKO APP