Turqia, trampolinë e xhihadistëve kosovarë
Teksa më herët ishte raportuar se numri i kosovarëve që u janë bashkuar organizatave terroriste në Siri dhe Irak është mbi 300, tani ky numër sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka rënë në 70-të. Ndërkohë, që raportohet se këta xhihadistë kosovarë sikurse dhe shumë të tjerë nga vendet e botës e kanë shfrytëzuar Turqinë për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.
Këto të dhëna kanë dalë nga konferenca me temën “Mbyllja e korridorit për luftëtarët e huaj”, e organizuar nga QKSS-ja cila kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Konkretisht, Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë së qëllimi i kësaj konference është të sjellë bashkëpunim bilateral ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
“Ekstremizmi i dhunshëm është një rrezikshmëri, e cila rrezikon të dyja vendet, ku në veçanti qytetarët kosovarë e shfrytëzojnë Turqinë si mjet për të depërtuar në Siri dhe Irak. Është jetike që Kosova të rrisë bashkëpunimin me Turqinë në këtë sferë duke angazhuar qendra hulumtuese nga të dyja vendet sepse fjala është për një rrezikshmëri, e cila implikon të dyja vendet. Të gjithë anëtarët ose luftëtarët nga Kosova kanë pasur si korridor Turqinë, përkatësisht Stambollin, për t’iu bashkuar grupeve ekstremiste”, ka thënë Qehaja.
Ndërsa ish-deputeti, Burim Ramadani, ka numëruar disa nga faktorët, të cilët kanë ndikuar në shtrirjen e rrymës radikale në vend.
“Kosova ka kapacitete të mangëta institucionale në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm e mungesa e këtyre kapaciteteve vendos një stad që quhet brishtësi e shtetit. Kosova ka dështuar në siguri, mirëqenie dhe sundim të ligjit”, ka thënë Ramadani.
Pjesëmarrës në këtë panel ishin edhe disa aktivistë të shoqërisë civile nga Turqia, të cilët theksuan problemet me të cilat po ballafaqohet shteti i tyre në rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas Yusuf Selman Inanç, aktivist i shoqërisë civile në Turqi, është një numër i madh i organizatave sektare fetare, të cilat janë duke përhapur ekstremizmin.
“Rritjes së islamizmit po i prijnë disa organizata në krye me sektin selefizëm, i cili është një sekt antiperëndimor e i cili pretendon që ta shkatërrojë islamin tradicional dhe vlerat e tij” ka thënë Inanç. Ndërsa sipas Bilgehan Usturk, Turqia vetëm gjatë vitit 2015 ka arritur që t’i ndalojë 991 luftëtarë të huaj nga 54 vende të botës, të cilët synonin të kalonin kufirin turk në mënyrë të jashtëligjshme për t’ju bashkuar organizatave terroriste në Siri dhe Irak.
Panelistët përmendën disa nga hapat që duhet t’i marrin institucionet e të dyja vendeve në parandalimin dhe luftimin e rrymave radikale, të cilat janë duke ndikuar në përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe rekrutimin e të rinjve për të marrë pjesë në luftërat fetare.