Urimi i Albin Kurtit: Sfidat e sivjetme t’i lëmë pas dhe të vazhdojmë përpara
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij për fundvit, ka numëruar arritjet gjatë vitit 2024, por edhe sfidat të cilat e kanë përcjellë vendin, përfshirë sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit e edhe problemet e ditëve të fundit me energji elektrike.
Kurti ka thënë se viti 2024 startoi mirë me liberalizimin e vizave, e po ashtu ka përmendur luftën ndaj strukturave ilegale.
“Shumë prej strukturave ilegale tashmë janë mbyllur, sepse janë të jashtëligjshme. Sheshet në veri nuk janë më vende frike, ku banorët vrojtohen e shantazhohen për çdo lëvizje të tyre, por janë bërë hapësira që bashkohen me gjithë Kosovën – një sferë publike dinamike e një vendi në zhvillim të vrullshëm”, ka thënë Kurti në adresim. “Edhe këtë vit kemi përjetuar një sulm ndaj shtetit tonë. E edhe këtë vit kemi treguar bashkërendim të brendshëm që na ka mundësuar t’i tejkalojmë sulmet. Këto sulme na kujtojnë dy të vërteta: se ka individë dhe grupe me qëllime keqdashëse ndaj nesh, porse vendosmëria jonë gjithmonë e tejkalon dashakeqësinë e grupeve kriminale dhe shteteve që i përkrahin ato. Hapat që i kemi marrë, nga forcimi e shtimi i ushtrisë, e deri te kontrata për Fabrikën e Municioneve, janë veprime të rëndësishme për të ardhmen tonë e të sigurisë tonë, e cila është në një trajektore të fuqizimit”, tha Kurti.
Sa i përket problemeve me energji elektrike, ai ka thënë se nuk është rezultat “i mungesës së rrymës, por i konsumit të lartë të energjisë, që po e sfidon rrjetin e transmisionit, në të cilën me vite e dekada nuk është investuar sa duhet”.
“Neve na vjen shumë keq për situatën e shkaktuar me furnizim si rezultat i ngarkesës së rrjetit. Kemi kërkuar nga operatorët e rrjetit transmetues dhe shpërndarës, KOSTT dhe KEDS, angazhim maksimal në zgjidhjen e problemeve e prishjeve teknike dhe menaxhimin e ngarkesës. Përkundër problemeve të trashëguara, nga privatizimi dhe jo vetëm, ne po punojmë, me krejt çfarë dimë e mundemi, në adresimin e këtyre. Atë po e bëjmë përmes investimeve që kanë munguar me dekada në ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike, e të cilat kanë filluar pikërisht gjatë mandatit tonë”, tha Kurti.
Kurti tha se do të vazhdojnë përpara me më shumë forcë e vendosmëri.
“E mbyllim këtë vit me përkushtimin që sfidat e sivjetme t’i lëmë pas dhe të vazhdojmë përpara me edhe më shumë forcë e vendosmëri. E ashtu siç filluam mbarë vjet, hyjmë mbarë, së bashku, në këtë ndërrim motmotesh. Gëzuar Viti i Ri 2025, të gjithë juve të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, familjeve dhe më të dashurve tuaj!” – tha Kurti.