Vajza e dërgon Kurtin në “Botën e Çudirave”
Mbrëmë në Teatrin ‘Dodona’ është dhënë shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’, ku ndër mysafirët e shumtë që ishin prezent në këtë shfaqje, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan KultPlus.
Këtë e bëri të ditur vetë kryeministri përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku shprehi lavdatat e tij për shfaqjen, aktorët dhe kënaqësinë që përjetoi gjatë shfaqjes.
Bashkangjitur gjeni postimin e plotë të Kurtit.
Mbrëmë Lea, mua e Ritën, na dërgoi në teatrin “Dodona” për të parë shfaqjen “Liza në botën e çudirave” të Lewis Caroll, dramatizuar nga Arzana Kraja e me regji të Melihate Qenës.
Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij. Duke e ndjekur nga pas lepuroshin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte.
Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të.
Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale. Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë.
Nuk ka emancipim pa teatër.